Komisioni Europian pranë dhënies së dritës jeshile për Shqipërinë

schedule15:46 - 13 Prill, 2018

schedule 15:46 - 13 Prill, 2018

Shqipëria është në prag të ngjitjes së një shkalle kyçe në integrimin në Bashkimin Europian. Komisioni Europian pritet të hapë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit të vendit në BE të martën e 17 prillit.

Komisioni Europian pritet të japë një rekomandim pa kushte për hapjen e negociatave, duke vendosur theksin te progresi i kryer në fillimin e procesit të Vettingut, si pikë kyçe për reformën në drejtësi, por edhe aksionet në rritje të qeverisë shqiptare kundër trafikut të drogës, si një problem specifik i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.

Rekomandimi i Komisionit do të diskutohet një ditë më parë në forumin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që mblidhet në Luksemburg.

Ndërkohë vendimi për këtë rekomandim pritet të votohet në unanimitet mëngjesin e së martës nga kolegji i komisionerëve i mbledhur në Strasbourg.

Komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe negocitatave të anëtarësimit, Johannes Hahn, do ia komunikojë vendimin fillimisht Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian dhe më pas pritet publikimi përmes një konference për shtyp të parashikuar për pasditen e së martës.

Përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini do të udhëtojë drejt Ballkanit për të komunikuar vendimin. Në 18 Prill, Mogherini do zhvillojë një takim informal në Sofie me kryeministrat e Ballkanit dhe partnerë nga rajoni.

Pavarësisht rekomandimit të Komisionit Europian, vendimi përfundimtar i takon shteteve anëtare sa i përket çeljes së negociatave./abcnews.al