“Komisioni antikorrupsion, i përhershëm”/ Rama: I rëndesishëm për integrimin e vendit në BE

schedule13:03 - 27 Nëntor, 2024

schedule 13:03 - 27 Nëntor, 2024

I vetëdijshëm se ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Antikorrupsion do të ketë një kontribut të rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje të gjithë skeptikëve të cilët e panë atë si dublim të punës së drejtësisë.

“U tha që ky komision u ngrit si një pabesi për të bërë diçka në kurriz të drejtësisë, por në fund fare të gjithë pa përjashtim, ata që duan të kuptojnë do shohin se ajo që do dalë nga ky komision do jetë një kontribut i pazëvendësueshem në anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.

Në tryezën për garantimin e të drejtës së pronës, Rama tha se falë digjitalizimit të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, kërkesat për pronën do të përfundojnë në një kohë më të shpejtë. E për këtë solli si shembull proceset gjyqësore.

“Me teknologjinë bëjmë hapin e fundit për një proces që mund të merrte më shumë kohë. Shembull real nga proceset gjyqësore në Shqipëri, rasti i një konflikti prone që shkon në gjykatë dhe gjykata disponon hartën dhe harta nga palosja dhe shpalosja kush e di sa herë në cepat e palosura kishte vrima. Dhe vendimi shkruan se vendimi nuk zgjidhet dot se prona është në vrimë. Të gjithë llojet e vrimave mund të mbyllen falë teknologjisë”.

Rama tha se për të realizuar ambicien për anëtarësim duket të përmbushen detyrat dhe kërkësat e Bashkimit Europian.

“E mira e këtij procesi nuk është se ne do e marrim Shqipërinë ta çojmë në Bruksel por do fusim Europën në Shqipëri në gjithë gjymtyrët e shtetit dhe shoqërisë, duke garantuar lirinë individuale, sundimin e ligjit dhe procesin demokrati”.

Ndërsa Inteligjenca artificiale thotë Rama do të lehtësojë tranferimin e legjislacionit të BE-së në Shqipëri./abcnews.al