Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn, lajmëroi se do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme.Nga Samiti për Ballkanin Perëndimor në Londër, Hahn tha se vizita e tij vjen në kuadër të një turi ballkanik që nis me Shkupin me qëllim sqarimin e hapave të mëtejshëm të integrimit pas rekomandimit të dhënë për të dy vendet nga Komisioni Europian.
Komisioneri europian për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn, ka anonçuar nga samiti i Londrës, se javën e ardhshme do të bëjë hapjen zyrtare të procesit të “skanimit” në Tiranë dhe Shkup. Procesi i skanimit ka të bëjë nga njëra anë me ekzaminimin analitik të legjislacionit të vendeve kandidate për të evidentuar nivelin e tyre të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, procesi i skanimit merret me identifikimin e fushave, ku kërkohet përparim në legjislacionin e vendeve kandidate për të qenë në përputhje me rregullat e BE.
Johannes Hahn: “Detyra jonë tani është të përgatitisim hapjen e negociatave vitin e ardhshëm përmes procesit të skanimit, apo një ekzaminim gjithpërfshirës. Unë do të shkoj në Tiranë dhe në Shkup për të filluar procesin e skanimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë javën e ardhshme. Eshtë një proces sfidues që tregon nivelin e angazhimit të këtyre vendeve për të avancuar, duke qenë se kalimi në fazën tjetër të Qershor të 2019-s varet pikërisht nga shpejtësia dhe cilësia e këtij procesi. Sa më shumë të bëhet gjatë procesit të skanimit, aq më shumë avancim do ketë për hapjen e negociatave”.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, i pranishëm në debatin mbi çfarë ofron dhjetë-vjeçari i ardhshëm për Ballkanin deklaroi, se Maqedonia priste më shumë nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit:
Nikola Dimitrov: “Vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian hapi rrugën drejt nisjes së negociatave të anëtarësimit për ne dhe Shqipërinë Qershorin e ardhshëm. Unë mendoj, se ne meritonim një vendim të qartë, por siç dihet politika është arti i të mundshmes, ndaj ne do pranojmë atë që kemi dhe do ecim përpara. Shpresoj që të marrim një ftesë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në NATO këtë javë. Nesër do shkojmë në Bruksel në samitin e NATO-s me shpresa të mëdha. Shpresojmë që kjo do ketë një impakt qetësues në rajon”.
Komisioneri Hahn ka treguar në samitin e Londrës, se përfundimisht vendimi për të përcaktuar vitin 2025 si një afat indikativ për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, edhe pse është ambicioz, ka patur efekt pozitiv.
Johannes Hahn: “Duhet të keni parasysh, se për t’u anëtarësuar në 2025-n do të thotë që negociatat të përfundojnë në 2023 dhe ky afat është pothuajse nesër. Eshtë ambicioz, por jam i kënaqur që e propozuam, pasi duhet të zgjidhnim midis 2025 dhe 2030, por 2030 tingëllon kaq larg, saqë asnjë s’mund ta merrte si një propozim të besueshëm nga ne. Kështu që besoj se gjetëm ekulibrin e duhur”.
Sesioni “Çfarë ofron dhjetëvjeçari i ardhshëm për Ballkanin” i zhvilluar gjatë samitit të Londrës i parapriu samitit të liderëve të Ballkani në kuadrin e procesit të Berlinit./abcnews.al