Kombëtarja shqiptare nuk lejohet në zonën VIP të aeroportit të Rinasit

schedule13:59 - 8 Shtator, 2018

schedule 13:59 - 8 Shtator, 2018

Kombëtarja shqiptare nuk lejohet të kalojë në zonën VIP të Aeroportit të Rinasit, në udhëtimin drejt Skocisë. Protokolli i Shtetit ia mundëson këtë trajtim Izraelit, por jo ekipit përfaqësues të vendit të tij.

Mund të fitosh dhe të jesh reklama më e madhe e vendit. Mund të vlerësohesh si idhulli i tifozëve dhe i shqiptarëve kudo në botë, por kjo nuk mjafton që të jesh i tillë për autoritetet e shtetit tënd. Kombëtares shqiptare të futbollit i është refuzuar trajtimi preferencial, pra kalimi nga zona VIP në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, në udhëtimin e saj drejt Skocisë, për ndeshjen e Ligës së Kombeve. Kjo edhe pse ekipit përfaqësues të Izraelit i është lejuar një trajtim i tillë preferencial, edhe kur mbërriti, edhe kur u largua nga Shqipëria, të paktën sipas asaj që deklarojnë në Federatën Shqiptare të Futbollit.

Jo vetëm kaq, por pati një ndryshim qëndrimi nga Protokolli i Shtetit, i cili të premten në orën 15:48 konfirmoi se ekipi kombëtar mund të kalonte nga sektori VIP. Më pas, këtë të shtunë, nga i njëjti Protokoll erdhi refuzimi i kërkesës së bërë nga Federata, me arsyetimin se ambientet e atjeshme nuk e përballojnë dot numrin e madh të personave në delegacion. Kombëtarja do të udhëtojë këtë të diel për në Gllazgou.

Protokolli i Shtetit gjykon se persona VIP në Shqipëri mund të jenë vetëm deputetët apo zyrtarët e lartë, ndonëse mbi shumë prej tyre rëndojnë akuza të tmerrshme, apo që dolën subjekt i dekriminalizimit, por jo lojtarët e ekipit kombëtar. Vetëm dy vjet më parë, të gjithë personat VIP të këtij shteti iu përkulën futbollistëve kuqezinj që erdhën si heronj nga Europiani, por mesa duket kjo sot është harruar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!