Kombëtarja shqiptare drejt rinovimit

schedule16:02 - 23 Mars, 2018

schedule 16:02 - 23 Mars, 2018

Kombëtarja shqiptare po kalon një periudhë rinovimi të thellë. Trajneri Kristian Panuçi ka sjellë shumë lojtarë të rinj në vetëm pak muaj në drejtimin e skuadrës.

Ishte i kënaqur pasi kishte lajme të reja për të dhënë.

Kristian Panuçi po përpiqet të jetë vetvetja në Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa rinovimi i ekipit po ecën me ritme të shpejta.

Italiani, i vendosur të ketë një skuadër sa më shumë të vetën, ka bërë aq shumë ndryshime sa nuk ishin parë që prej ndërhyrjes së fortë të Xhani De Biazit, disa vjet më parë.

Në seancat stërvitore, dhe në ndeshjet eleminatore të Botërorit apo miqësore, 44-vjeçari ka provuar plot 10 futbollistë të rinj.
Vetëm në grumbullimin për sfidën e së hënës ndaj Norvegjisë, debutuesit janë katër.

Dy prej tyre vijnë nga Superliga dhe janë Enis Gavazaj i Skënderbeut dhe Kristal Abazaj i Luftëtarit, i pari 23 dhe i dyti 21 vjeç.
Lojtarë krahu, teknikë dhe të shpejtë, ashtu siç i pëlqejnë Panuçit, vijnë në ekip me falenderime dhe me ambicie.

Bashkë me ta, edhe Herdi Prenga, që luan si mbrojtës në Kroaci për Interin e Zapreshiqit, si dhe Bujar Lika, mesfushor i Superligës së Zvicrës, në radhët e Grasshopersit.

Edhe këta janë relativisht të rinj, 23 vjeç Prenga dhe 25 Lika. Këta të katër janë vetëm prurjet e fundit.

Që në fillim, Panuçi u prezantua me 3 lojtarë të përzgjedhur dhe të sjellë personalisht nga ai. Njëri prej tyre ishte Valon Ahmedi, talenti sulmues 23-vjeçar shqiptar i Maqedonisë, që luan për Mariborin në Slloveni.

Tjetri Ivan Balliu, i lindur në Spanjë dhe i përgatitur në Akademinë e famshme të Barcelonës. Sot, në moshën 26-vjeçare mbrojtësi i djathtë luan për Mecin në Ligën e Parë të Francës.

Bashkë me ta edhe Hysen Memolla, mbrojtësi tjetër, veçse i krahut të majtë, lindur në Kavajë, zhvendosur në Itali, me 25-vjeçarin që vazhdon karrierën tek Hajduku i Splitit në Kroaci.

Pas tyre, trajneri italian prezantoi dy afrime të tjera.
Njëri prej tyre, Kamer Qaka, mjaft i talentuar, lojtar ofensiv dhe mjaft luftarak, pjesë e skuadrës së Rumanisë, Politeknika e Jashit.

Qaka është vetëm 22 vjeç dhe besohet se ka të ardhme të rëndësishme.

Ylber Ramadani ishte më i njohur për publikun shqiptar sepse luajti për Partizanin në Tiranë, përpara sesa të shkonte tek Velje në Danimarkë.

Si përforcim për ofensivën, erdhi një qendërsulmues tipik si Astrit Ajdareviç, apo thjesht Hajdari.

I aktivizuar në miqësoren ndaj Turqisë, 27-vjeçari nuk u mor këtë herë, por Panuçi e llogarit si të rëndësishëm lojtarin që po luan shumë mirë për AEK-un e Athinës në Greqi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!