Fitorja e rëndësishme u arrit, por hallet nuk kanë përfunduar.
Nëse kombëtarja shqiptare festoi siç duhet në Andorrë, me suksesin 1-0 dhe me kualifikimin në plej ofin e Kupës së Botës, të dielën përballë Anglisë mund të hasemi me probleme të tjera.
Pesë futbollistë kuqezinj janë të rrezikuar për t’u pezulluar për në ndeshjen e parë të plej ofit, nëse do të marrin një të verdhë ndaj kryesuesve të grupit.
Mitaj, Shehu dhe Manaj ishin që më parë të ndëshkuar, ndërsa në Andorrë u paralajmëruan me karton Ajeti dhe Bajrami.
Ekipi përfaqësues u stërvit në bazën e tij sportive në Spanjë, duke udhëtuar vetëm pasditen e së premtes për në Tiranë.
Trajneri Silvinjo do të shohë gjendjen e lojtarëve, për të përcaktuar sesa kanë shpenzuar titullarët e së enjtes, dhe nëse do të duhet të bëjë ndryshime për këtë të diel.
Uzuni e Bajrami luajtën pak, edhe pse ishin vendimtarë, Ismajli ishte në stol, ashtu si Medon Berisha, Ramadani dhe Daku.
Mbetet të shihet sesi do të jenë zgjedhjet e Silvinjos.
Kombëtarja do të realizojë seancën e fundit stërvitore në “Arenën Air Albania” në orën 18:00, ndërsa tekniku ynë do të jetë në konferencën për shtyp në orën 17:00.
Anglia, ndërkaq, nuk do të stërvitet fare në Tiranë, ndërsa trajneri Tuhel do të jetë në konferencë në orën 21:00.

