Kombëtarja e femrave merr pikën e parë në Kupën e Botës

schedule16:32 - 7 Prill, 2018

schedule 16:32 - 7 Prill, 2018

Kombëtarja shqiptare e femrave në futboll arriti një rezultat të rëndësishëm në fazën eleminatore. Barazoi në Poloni dhe ka mundësi të shmangë vendin e fundit në grup.

Shijen e pikës as nuk e njihnim në këtë nivel. Pavarësisht ndonjë ndeshjeje të mirë si në Bjellorusi, duhej të vinte përballja thuajse e pamundur në Poloni, që kombëtarja shqiptare e femrave të mos dilte e humbur nga fusha.

Në stadiumin e qytetit të Vloclavit, vajzat e drejtuara nga trajneri Grima, edhe pse e nisën keq, e përfunduan mirë duke marrë pikën e parë në grupin 2 eleminator të Kupës së Botës. Polaket kaluan në avantazh që në minutën e 2-të me golin e shënuar nga Daleshçik, dhe natyrshëm kishin epërsi në lojë.

Gjithsesi, Shqipëria luajti mirë, dhe goditi disa herë portën, dhe lojtare si Krasniqi, Morina, Doçi apo Franja u dukën më aktive se zakonisht. Po ashtu edhe portierja Zani, dhe kapitenia Rrahmani. Kjo bëri që Polonia favoritë të mos arrinte të mbyllte ndeshjen, dhe të shtangej pranë fundit.

Në minutën e 74-t, pas një këmbënguljeje të gjatë pranë zonës vendase, Morina ekzekutoi saktë një goditje dënimi duke barazuar rezultatin. Pavarësisht nga sulmet e fundit, të dëshpëruara, të polakeve, kombëtarja e vajzave u mbajt.

Pika e fituar nuk ndryshon shumë për vajzat kuqezi, por të paktën ngre moralin dhe jep mundësi të shmanget vendi i fundit. Nëse ato mundin Bjellorusinë në 10 Prill, në “Elbasan Arena”, do ta lenë prapa këtë kundërshtar, të paktën përkohësisht.

Gjithsesi, ekipi shqiptar ka bërë përparim në krahasim me të kaluarën, pasi kaloi me sukses fazën paraeleminatore duke u kualifikuar në grupin ndaj Greqisë, Kosovës e Maltës. Sa për Poloninë, ajo i prishi punë vetes, sepse rrezikon vendin e dytë, pra shanset për të shkuar në plej of dhe për të pretenduar kualifikimin për në finalet e Kupës së Botës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!