“Kolonia ndërkombëtare “Ditët e Mios”, Korça mikpriti 51 piktorë nga 15 vende

schedule16:06 - 29 Tetor, 2023

schedule 16:06 - 29 Tetor, 2023

Për të 13-in vit Korça mikpriti artistë të penelit nga 15 vende të ndryshme të botës, në Koloninë Ndërkombëtare “Ditët e Mios”.

51 piktorë, përgjatë tre ditëve hodhën në telajo ngjyrat e vjeshtës të Korçës, por edhe portrete dhe grafika, frymëzuar nga arkitektura dhe urbanizimi i qytetit.

Genc Bekteshi, piktor nga Kosova, tregon eksperiencën e tij në këtë koloni, duke u inspiruar dhe duke hedhur ne telajë Katedralen e Korçës.

Burhan Ahmeti, artist nga Maqedonia e Veriut pas 11 viteve shkëputje është rikthyer në këtë koloni duke u shprehur se është frymëzuar për të  pikturuar nga arkitektura e veçantë e ndodhur në Pedonalen e qytetit  “Shtëpia Rumune”.

Piktori francez, Jeef Roland, i cili erdhi në ekspozitë me abstraksion pohoi: “Është një koloni e mrekullueshme.  Jam shumë i lumtur që u bëra pjesë në Korçë që është një qytet që e admiroj. Është një qytet ku unë do të mund të jetoja dhe atmosfera është shumë e mirë jo vetëm për artistët, por për cilindo. Ka një solidaritet dhe një dashamirësi që ndjehet dhe kjo është diçka që më frymëzon shumë ndaj jam i lumtur që isha pjesë e kolonisë dhe të realizoj një punim timin. Shpresoj të kthehem përsëri në Shqipëri dhe në Korçë në veçanti. Ne asnjëherë nuk duam ta lemë fëmijën që kemi brenda vetes të vdesë, duam ta mbajmë gjallë dhe ti qëndrojmë besnikë ëndrrave dhe dëshirave që kishim kur ishim fëmijë sepse në atë moshë ne donim diçka dhe e dinim me saktësi çfarë donim nga jeta, ishim plot shpresë për të ardhmen dhe ky është mesazhi im.  Piktura ime shpesh mund të duket fëminore, por kjo është një strategji që e bën shikuesin të shohë me sytë e një fëmije”.

Për organizatorët e aktivitetit, kolona pati pjesëmarrje tepër të lartë të artistëve nga 15 vende të botës që korrespondon me 29 piktorë të ftuar dhe 23 piktorë lokalë, punët e të cilëve do të bëhen pjesë e Galerisë “Guri Madhi”. Përmes aktiviteteve të kësaj natyre synohet kthimi i Korçës në qendër të artit pamor në Rajon./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!