Kolonat zanore të filmave në “Hanin e Pazarit”

schedule15:43 - 25 Korrik, 2021

schedule 15:43 - 25 Korrik, 2021

Nata e tretë e “MIK” festival solli koncertin recital të pianistes së njohur Ardita Bufaj tek “Hani i Pazarit”. Mjeshtërisht janë përcjellë me nostalgji tek publiku kolonat zanore e filmave shqiptarë nën tingujt e pianos dhe recitimit nga Zamira Kita.

Ka qenë një natë magjike dhe e mbushur plotë me emocion për artdashësit e qytetit. Me misionin për te promovuar dhe përcjellë trashëgiminë kulturore drejtuesja e këtij festivali sopranoja Inva Mula është shprehur e vlerësuar për mikpritjen bujarinë e korçarëve

“Korça del vete, nuk ka nevojë të zgjidhet. Jam shumë e lumtur që ky festival u krijua kaq bukur dhe natyrshëm  në Korçë me miq të mirë që sa vijnë dhe rriten në numër dhe na bëjnë që të ndihemi në Korçë si në shtëpinë tonë” tha ajo.

Edhe për pianisten Ardita Bufaj kjo mbrëmje ishte e magjishme pasi ka mundur të përcjellë tek publiku emocione dhe nostalgjinë e kolonave zanore të filmave shqiptarë.

“Të gjithë kompozitorët tanë me muzikën e tyre kanë lënë kolona shumë të forta, kanë prodhuar një muzikë të jashtëzakonshme. Kanë ushqyer të gjithë brezat dhe shpresoj që edhe brezat e rinj të njihen me këto vlera të jashtëzakonshme që na kanë lënë kolosët e muzikës shqiptare” tha ajo.

Pas periudhës së vështirë të pandemisë ku aktivitetet artistike munguan, për qytetarët e Korçës, ky festival shihet si një fillim i ri.

“MIK” Festival në Korçë pati edhe interesin e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila u shfaq në krah të ministrave Niko Peleshi dhe Elisa Spiropali./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!