Partia Socialiste e Shqipërisë dhe grupi i Sali Berishës kanë vendosur kandidatët me të cilët do të kërkojnë fitoren në gjashtë bashkitë në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen në datë 6 mars. Tashmë priten emrat që do të vendosë Lulzim Basha, por edhe LSI-ja dhe partitë e tjera që janë regjistruar.
Por si është përballja me kandidatët aktualë?
Në kryeqendrën e veriut gara pritet që të jetë më e fortë, bastioni demokrat rrezikon shumë. Një PD e ndarë në dyshë favorizon PS-në që të marrë “kështjellën” blu, Shkodrën.
Në pritje të kandidatëve të Lulzim Bashës, Sali Berisha do të garojë me Bardh Spahinë përballë prefektes Majlinda Angoni nga radhët e socialistëve.
Në Dibër përballë kandidatit socialist Rahim Spahiu garon Premtim Kryemadhi nga grupi i Berishës. Durrësi është një tjetër bashki e madhe që do të “luftohet” deri në fund.
Sali Berisha zgjodhi Ardian Mukën përballë kryetares aktuale, Ermirjana Sako.
Në Vorë, Edi Rama i besoi një mësuesi, Blerim Sheraj, që ishte risia e vetme e listës, ndërsa Sali Berisha, Lulzim Vranën.
Në Rrogozhinë nëse nuk ka kandidatë të tjerë kryetari në detyrë Edison Memolla garon përballë Hekuran Xhanit. Lushnjen, ish-kryeministri ia besoi djalit të ish-deputetit, Elton Bano, PS emrin do ta zbulojë ditën e martë.
Sali Berisha sot zyrtarizoi emrat, por si do të kandidojë? I pavarur, apo në koalicion mbetet për t’u parë.
Kandidatët e PS në zgjedhje e 6 marsit:
Bashkia Shkodër-Majlinda Angoni
Bashkia Dibër-Rahim Spahiu
Bashkia Vorë-Blerim Sheraj
Bashkia Rrogozhinë-Edison Memolla
Bashkia Durrës-Ermirjana Sako
Bashkia Lushnje-vendoset të martën
Kandidatët e Sali Berishës
Lulzim Vrana- Vorë
Premtim Kryemadhi-Dibër
Hekuran Xhani-Rrogozhinë
Ardian Muka -Durrës
Elton Bano-Lushnje
Bardh Spahia-Shkodër
/Abcnews.al