Kokainë në airbag, kapen dy të rinj

schedule09:04 - 29 Tetor, 2018

schedule 09:04 - 29 Tetor, 2018

Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë dhe të sekuestrojë dy kilogramë kokainë dhe të vendosë në pranga dy persona që dyshohen trafikantët e kësaj ngarkese. Operacioni u finalizua te “Ura e Dajlanit”, pasi autorët mbaheshin në vëzhgim prej disa kohësh.

Dy kilogramë kokainë dhe dy vetë u arrestuan gjatë operacionit “Menaxheri” në Durrës. Droga u gjet në një makinë tip BMW në pjesën e airbagut, e cila e ishte përshtatur për këtë qëllim.

Operacioni nisi pasi antidroga kishte siguruar informacion në rrugë operative për kalimin e ngarkesës me BMW nga Shkozeti në drejtim të Durrësit. Fillimisht trafikantëve iu bë postobllok pranë shtëpive në Shkozet, por ata nuk iu bindën urdhërit të policisë, e cila u vu në ndjekje dhe ngriti postobllok tjetër te “Ura e Dajlanit” ku dhe u bë finalizimi i operacionit.

Taulant Lala, 29 vjeç, nga Shkozeti i Durrësit ishte drejtuesi i makinës, kurse i arrestuari i dyë Adnand Bufi, 22 vjeç, gjithashtu nga Shkozeti ishte pasagjer. Droga u zbulua në një vend i modifikuar tek kapaku i airbag.

Dy pako ishin të mbështjella me plasmas transparent me peshë rreth dy kilogramë kokainë, njoftoi policia. Ndaj Lalës dhe Bufit rëndojnë akuzat për “Prodhim dhe shitje te lëndëve narkotike” në bashkëpunim si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

/abcnews.al