Kodi rrugor/ Shtyhet 5 vite vlefshmëria e patentës. Drejtuesit e rinj do drejtojnë makina ‘të vogla’

schedule16:07 - 17 Mars, 2023

schedule 16:07 - 17 Mars, 2023

Për shkak të numrit të lartë të aksidenteve të shkaktuara kryesisht nga të rinjtë, autoritetet propozuan një sërë ndryshimesh në Kodin Rrugor, të cilat u miratuan të enjten në Kuvend.

Shoferët e rinj që kanë kanë patent të tipit B, në dy vitet e para që kanë marrë atë, nuk duhet të drejtojnë mjete motorike me fuqi të lartë, që varion nga 500 deri në 1500 kubikë.

Drejtoria e Transportit Rrugor ka hartuar një listë me 13 tipe mjetesh që shoferët e rinj mund të drejtojnë. Një  nga ndryshimet e miratuara është zgjatja e afatit të rinovimit të patentës, që do bëhet çdo 15 vjet, në krahasim me 10 vite që ishte.

Ky afat për kategorinë A dhe B do të jetë deri në 70 vjeç, dhe mbi këtë moshë konfirmimi i vlefshmërisë bëhet pas dorëzimit të certifikatës mjekësore.

Kodi Rrugor parashikon zgjatje të së drejtës për ushtrimin e profesionit të instruktorit të autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 që ishte deri më tani.

Me ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, qytetarët që kanë marrë një gjobë për shkelje të ndryshme, nëse e paguan brenda 15 ditësh, pagesa bëhet me 50% ulje. Më herët nësë e paguaje brenda 5 ditësh, pagesa bëhej me 20% ulje.

Kodi i ri parashikon ashpërsim dhe dyfishim të gjobës për qytetarët që u hiqet patenta. Kjo kategori shkelësish do të paguajnë dyfish masën administrative, që të mos u bllokohet leja e drejtimit.

Ndërsa për autostradat që plotësojnë kriteret, shpejtësia rritet nga 110 në 130 km/h. Një tjetër propozim i votuar është edhe heqja e postblloqeve në rrugët nacionale, ku siguria rrugore do të mbikqyret nga makinat inteligjente. Ato do të identifikojnë veç shkeljes që kryen shoferi, edhe nëse kanë gjoba të papaguara apo mjeti e ka kaluar ose jo kolaudimin. Ndryshimet e reja detyrojnë bashkitë që 50% e vendparkimeve të jenë pa pagesë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!