Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-regjistruesin, tre përgjegjës sektori dhe dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të institucionit të kontrollit shtetëror këta persona kanë kryer regjistrime të pasurive pa dokumentacionin e duhur ligjor, me dokumente të parregullta për sipërfaqen prej 290 873 m2, ndryshime zëri kadastral nga rrugë, përrenj në truall për sipërfaqe 7090 m2, regjistrim pasuri shtetërore të privatizuar pa arkëtuar qira trualli me dëm ekonomik në vlerë 11 milionë e 580 mijë lekë.
Këto dhe të tjera shkelje ligjore kanë detyruar Kontrollin e Lartë të shtetit t’i kërkojë kryeregjistruesit të vlerësojë shkallën e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore për 22 punonjës. Ndërsa ndaj 6 punonjësve të zyrës së hipotekës së Tiranës është bërë kallzim penal në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë./abcnews.al