KLSH: Avokatura nuk ka bërë detyrën, Shqipëria 388.5 milionë euro detyrime në arbitrazh

schedule15:15 - 10 Janar, 2022

schedule 15:15 - 10 Janar, 2022

Erblina Mile

Avokatura e shtetit nuk ka kryer detyrën në mbrojtjen e Shqipërisë në çështje të arbitrazhit ndërkombëtar ku rrezikon të paguajë fatura të majme. Ky ka qenë  rezultati i auditimit të realizuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë institucion.

Shqipëria rrezikon gjoba të kripura që  sipas KLSH arrijnë në  total në 388.5 milionë euro vetëm nga 5 vendime që tashmë janë përfundimtare. Në raport, Kontrolli i lartë i shtetit thekson se gjatë auditimit në avokaturën e  shtetit  janë gjetur një sërë mangësish.

KLSH thekson se në  përfundim të proceseve gjyqësore në gjykatat e huaja të cilët kanë rezultuar me penalitete të rënda financiare për Shtetin Shqiptar, nga ana e Avokaturës së Shtetit mungojnë analizat dhe vlerësimet mbi veprimet dhe mosveprimet e administratës publike, shkaqet dhe  masat që duhet të merren ndaj shkaktarëve.

Në asnjë rast thuhet në raport avoktura e shtetit nuk rezulton se ka bërë  sugjerime apo propozime për Këshillin e Ministrave mbi hapat e nevojshëm që duhet të merren  për evitimin e veprimeve të padrejta ose abuzive në të ardhmen nga funksionarët publikë.

Problematika janë hasur edhe në rastet kur Shqipëria ka realizuar fituese në arbitrazh. Sipas auditimit të KLSH mungojnë veprimet e nevojshme administrative e ligjore për rikuperimin e vlerave financiare në rastet e vendimeve në favor të Shqipërisë.

KLSH ka vërejtur ndër të tjera parregullsi administrative  dhe në procedurat e kontraktimit të studiove të huaja ligjore duke  prodhuar  kosto shtesë të paparashikuara në buxhet

Problematika nga auditimi në këtë institucion është vërejtur edhe  në arkivimin e dokumentacionit ku  thuajse përgjatë gjithë proceseve të audituara si, praktika kontraktimi, prokurimi apo  inspektimi, mungojnë dokumente. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!