Klosi publikon të ardhurat nga turizmi

schedule15:05 - 20 Korrik, 2018

schedule 15:05 - 20 Korrik, 2018

Vetëm në vitin e fundit sektori i turizmit ka sjellë 30 milionë euro të ardhura më shumë në ekonominë shqiptare. Shifrën e bëri publike ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, gjatë prezantimit të 16 zonave të mbrojtura në vend.

Jo vetëm rekord në numrin në rritje të turistëve, por edhe shumë para në buxhetin e shtetit brenda një kohe të shkurtër. Lajmin e dha ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

“Vetëm në 4-mujorin e parë të këtij vit ne kemi patur një rritje prej 9.1% krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rreth 30 milionë euro më shumë në ekonominë shqiptare”, tha Klosi.

Një plan i ri është prezantuar nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit që këto të ardhura të shtohen.

16 zona të mbrojtura do të shndërrohen në zonat prioritare për zhvillimin e turizmit, sipas standardeve evropiane. Këtë qëllim ka ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilin e sqaroi vetë ministri Blendi Klosi.

“Janë zona që me vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit do të bëhen zona të përcaktuara për investime të vërteta në fushën e turizmit”, tha ministri Klosi.

Përballë bizneseve, shoqatave për mbrojtjen e mjedisit e grupeve të interesit, ministri Blendi Klosi renditi 16 zonat që do t’i dërgohen qeverisë për vendimarrje.

Dy kilometra nga vija bregdetare Parku Natyror i Alpeve, Parku Natyror i Korabit, Parku i Belshit, liqeni i Ohrit dhe Prespa, liqeni i Ulzës, lugina e Vjosës,
Lugina e Zagorisë, Parku Natyror i Lurës, zona e Dajtit, pyjet e Sherbenik-Jabllanicë, mali i Moravës, zona e Rinasit duhet të shënohen si pika referimi për biznesin e turizmit. Për dy zonat e tjera të mbrojtura, mali i Tomorrit dhe Kanionet e Osumit, ministri Klosi u kujtoi se zhvillimi i sipërmarrjeve nuk do të bëhet në kurriz të mjedisit.

“Mali i shenjtë i Tomorrit, mal i cili po mbart mbi vete edhe këtë debatin nëse duam ekonomikë e guroreve që e shkatërron, apo ekonominë e turizmit që e gjeneron. Kanionet e Osumit, debat i vazhdueshëm në media për bukuritë e saj turistike por edhe tendencën për të bërë aty HEC-e, por ne nuk do t’i lejojmë”, tha ministri i Mjedisit dhe Turizmit.

Megjithatë ministri Klosi përsëriti edhe një herë se Shqipëria është shumë mbrapa me standardet e Bashkimit Evropian, sipas të cilit ky është hapi që duhet hedhur sot./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!