Klosi paralajmëron masa të ashpra për ndotësit e mjedisit

schedule16:06 - 26 Prill, 2018

schedule 16:06 - 26 Prill, 2018

Në mbyllje të aksionit të pastrimit në zonat bregdetare dhe brigjet e lumenjve, ministri i Mjedisit dhe Turizmit deklaroi se ky është starti i një Shqipërie të pandotuar. Ministri Klosi paralajmëroi masa të ashpra për këdo që ndot mjedisin.

Nga godina e kryeministrisë, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, paralajmëroi  ndëshkime të ashpra ndaj kujtdo që ndot mjedisin.

“Ta kenë të qartë të gjithë; individë apo biznese qofshin, që hedhin mbetjet edhe  industriale apo mbetjet spitalore dhe cdo lloj mbetje tjetër në lumenj se kjo do të jetë goditja më e madhe që do të ndodhë nga ligji. Pas datës 22 prill të gjitha institucionet ligjzbatuese janë të urdhëruara të dënojnë me masa shumë të forta ligjore, këdo që hedh mbeturinat përsëri në lumenjtë e vendit. Ta kenë po ashtu të qartë të gjitha sipërmarrjet që lejen mjedisore e kanë mbajtur si letrën që nxjerrin nga sirtari, vetëm kur ju vjen inspektori në derë”. 

Paralajmërimi vjen pas një aksioni, ku mbi 20 mijë persona e 905 mjete u angazhuan për të pastruar rreth 155 segmente lumore, grykëderdhje dhe zona bregdetare.

“Statistikat e mësipërme, nuk e bëjnë Shqipërinë më të pastër, por janë starti i një Shqipërie të pandotur dhe shpresa e madhe e fillimit të epokës sonë të ndarjes nga pisllëku, të epokës së ndarjes nga ndotja, të epokës  sonë europiane. Do të duhet shumë që Inspektoriati i Mjedisit dhe Policia e Shtetit, të jenë në terren jo  vetëm për të kontrolluar zbatimin e lejes mjedisore, zbatimin e ligjit, por pa toleruar dhe pa mbyllur sytë karshi cdo ndotësi të këtij realiteti.”

Ministri i Mjedisit dhe Turizimit deklaroi se bashkë me prefektet është hartuar një plan masash për çdo venddepozitim mbetjesh, ndërsa përsëriti thirrjen drejtuar bizneseve për të mos derdhur ujërat e ndotura në det apo lumenj pasi do të mbyllet./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!