Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, mori pjesë në takimin e Komitetit Rajonal të Turizmit në Pogradec. Këtë muaj, tha ministri, numri i turistëve është rritur me 13%. Ndërkohë iu kërkoi bizneseve të marrin masa për të zgjidhur problematikat e sezonit dhe krijuar siguri në plazhe.
Siguria në plazhe, sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi vijon të mbetet problematike. Arsye që ministri Klosi gjatë mbledhjes së Komitetit Rajonal të Turizmit në Pogradec tërhoqi vëmendjen e bizneseve.
“Duhet ta kuptojmë që nuk mund të rritet numri i turistëve, të ardhurat nga turizmi nëse ne nuk garantojmë siguri në plazhet tona. Pra siguri nga forcat e rendit por edhe nga vëzhguesit që janë përgjegjësi e bizneseve që operojnë në atë sektor”.
Rritja me 13% e numrit të turistëve që kanë mbërritur në Shqipëri këtë vit, sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, rrit njëherësh edhe përgjegjësitë. Ministri Klosi nxiti sipërmarrësit të përfitojnë nga oferta e qeverisë e të ndërtojnë një biznes të qëndrueshëm në agroturizëm.
“Ata do të përfitojnë nga ulja e taksës 5% për taksën e fitimit. Kush krijon një strukturë agroturistike do të përfitojë 6% ulje të TVSh për të gjithë shërbimet në biznesin e tij dhe zero taksë për infrastrukturën”.
Risia e këtij sezoni sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit aktivitetet argëtuese që i japin turistëve një arsye më tepër për t’u rikthyer në Shqipëri./abcnews.al