Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi i bëri thirrje kryetareve të bashkive që gara elektorale të mos ndikojë në përgatitjet për sezonin turistik. Klosi deklaroi se u luftua shumë që zgjedhjet vendore të mos mbahen më 30 Qershor, por tashmë kjo është fakt dhe ndasitë partiake nuk duhet të shfaqin efekte mbi turizmin.
Përcaktimi i datës së zgjedhjeve lokale në kulmin e sezonit turistik ishte një betejë e humbur për mazhorancën socialiste. Në këto kushte ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi ka vetëm një thirrje.
Situata e tensionuar politike që ka përfshirë vendin ka detyruar ministrin e Mjedisit dhe Turizmit që disa herë në fjalën e tij gjatë mbledhjes së këshillit konsultativ të qeverisjes qëndore dhe asaj vendore t’i drejtohet kryetarëve të bashkive, pa dallim ngjyrash partiake.
Brenda 31 Marsit bashkitë duhet të vendosin përfundimisht se kujt do t’ia japin në administrim stacionet e plazheve.
Vendimi që shumë shpejt pritet të kalojë në qeveri parashikon që 20% e plazheve të jenë publike dhe 80% private. Pushteti vendor do të lidhë kontratë me subjektin privat për një periudhë pesë vjeçare dhe jo më për një vit. Ndërkohë që administratori privat do të mbajë përgjegjësi për kushtet higjeno- sanitare dhe ato të sigurisë. Gjithashtu ka detyrimin që në 80 metra vijë lineare bregdetare të ngre një kullë vrojtimi./abcnews.al