Klopp, për herë të tretë në finalen e Champions

schedule19:27 - 8 May, 2019

schedule19:27 - 8 May, 2019

Jurgen Klopp padyshim që ishte çelësi i suksesit të kualifikimit të Liverpool në finalen e Championsit. Trajneri gjerman ka humbur dy finale të Ligës së Kampionëve dhe kjo do të jetë hera e tretë që do të tentojë të fitojë titullin prestigjioz.

Arkitekti i mbrëmjes në “Anfield” natyrisht mbetet koka teknike e Jurgen Klop, aty ku qetësia dhe fryma e tij dhanë më shumë se pjesa teknike në fushë. Gjermani në vend të ankohej për mungesat e titullarëve dhe lojtarit kryesor të ekipit, Mohamed Salah, nuk kërkoi justifikime, por hodhi në fushë skuadrën më të mirë të mundshme me lojtarët që kishte në organikë dhe në sajë të mënyrës së përgatitjes së ndeshjes ia doli të merrte një kualifikim historik për finalen e Champions League, e cila do të zhvillohet në stadiumin e Atletiko Madrid, ‘Wanda Metropolitano’.

Kjo e Madridit nuk do të jetë hera e parë e Klopp në finale të kompeticionit madhor, përkundrazi këtë herë finalja e Madridit do të jetë e treta për 51-vjeçarin. Nuk kanë shkuar siç duhet edhe takimet e mëparshme finale të Ligës së Kampioneve për gjermanin, megjithatë këtë radhë mund të jetë viti i tij në Madrid.

Finalja e parë ishte ajo e vitit 2013, përballë Bayern-it. Sfida përfundoi me triumfin e bavarezëve falë një goli në fund të Robben. Ndërsa finalja e dytë ishte ajo e vjetshmja ndaj Realit të Madridit. Të kuqtë u mposhtën me rezultatin 3-1,teksa në ndeshje ndikuan gabimet e portierit Karius dhe dëmtimi i Salah.

Por, këtë herë tekniku mbërrin në finale si favorit. Klopp dhe skuadra janë favoritë, megjithatë në finale asgjë nuk është e sigurt. Ndërkaq, sa i përket makthit të portierit nga finalja e vitit të kaluar, të kuqtë kanë tashmë një nga më të mirët në rolin e tij si Alison Becker./ABC News Albania 24/7