Këshilli i Lartë Gjyqësor do të delegojë në mbledhjen e 20 Majit, gjyqtarin e tretë që do i bashkohet Saida Dollanit dhe Albana Boksit në procesin për grupin e “Shullazit”. Gjykimi nuk ka nisur në Apel për arsye se janë larguar 2 gjyqtarë të çështjes.
Procesi për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda do të rinisë me një trupë të re gjykuese.
Burime nga kjo gjykatë bëjnë me dije se gjyqtari i tretë që do t’i bashkohet Saida Dollanit dhe Albana Boksit do vendoset në mbledhjen e 20 majit që do të zhvillojë Këshilli i Lartë Gjyqësor. Këshilli do të delegojë një gjyqtar nga gjykatat e Apelit, pasi gjyqtarët e Gjykatë së Apelit për Krime të Rënda janë ezauruar.
Procesi në Apel për grupin e “Shullazit” nuk ka nisur për shkak të largimit nga trupa gjykuese e dy gjyqtarëve të çështjes. Ligji parashikon se kur ndryshohen dy nga anëtarët e trupës gjykuese, procesi duhet që të nisë nga e para. Dy gjyqtarët e larguar janë Fehmi Petku që u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Nure Dreni që u dorëhoq për shkak se kishte shqyrtuar një çështje tjetër në lidhje me Shullazin.
Më herët është dorëhequr edhe Sokol Binaj, por pa shpjeguar arsyen. I pandehuri Blerim Shullazi ka kallëzuar penalisht në prokurorinë e Tiranës gjyqtaren Saida Dollani për shpërdorim detyre dhe ka kërkuar përjashtimin e saj me arsyetimin se e ka gjykuar në një tjetër proces. Grupi i Emiljano Shullazit u dënua në shkallë të parë me 55 vite burg. /ABC News Albania 24/7