Klajda Gjosha: Procesi i integrimit nuk është çështje dashurie apo martese

schedule19:06 - 15 Tetor, 2019

schedule 19:06 - 15 Tetor, 2019

E ftuar në studion e ABC News me gazetaren Juli Xhokaxhi mbrëmjen e sotme ka qenë Klajda Gjosha. Gjosha ka folur në lidhje me negociatat dhe procesin e Shqipërisë drejt integrimit. Sipas saj, qeveria shqiptare ka patur një mangësi të theksuar në përmbushjen e kushteve që i janë vendosur.

Gjithashtu Gjosha tha se, opozita ka ofruar zgjidhjen e saj për krizën politike, dhe se është e gatshme të ulet, e të diskutojë me mazhorancën pa kushte për reformën zgjedhore. Ajo theksoi se Europa nuk është çështje dashurie siç e quan kryeministri por një çështje detyrimesh dhe përgjegjësish.

Pjesë nga intervista në studio me Klajda Gjoshën: 

Juli Xhokaxhi: Sa gjasa ka që Macron të ndryshojë mendje?

Klajda Gjosha: Shpresoj që këtë herë të mos përsëritet situata e vitit 2016 ku vendet nuk arritën të dalin në një vendim të përbashkët sepse ky do të ishte precedenti i dytë, në atë kohë nuk arritën në një vendim të përbashkët për shkak të Turqisë ndërsa tani me sa duket molla e sherrit është pikërisht Shqipëria më pak Maqedonia e Veriut. Vendet e tjera janë për pro dhe për një ndarje të kësaj dysheje që shkon drejt procesit të integrimit megjithatë do të uroja që Shqipëria të mos kthehet edhe në një pengese për Maqedoninë e Veriut.

Juli Xhokaxhi: Sa gjasa ka të shkojë drejt një divorci të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut në vendimin përfundimtar?

Klajda Gjosha: Franca e ka kërkuar me kohë këtë dhe kjo nuk do të ishte mirë për Shqipërinë sepse do na çonte shumë vite pas dhe do ti shtonte rrugëtimit tonë vështirësi të pafundme por ndoshta edhe vite të gjata në këtë proces. Duket shumë e vështirë që Franca të heqë dorë. Është e para herë që shkohet me rekomandim pozitiv dhe aty përballesh me kushte të vendeve anëtare gjë e cila nuk ka ndodhur asnjë herë sepse vendet anëtare kanë marrë gjithmonë një vendim politik. Pra i gjithë procesi teknik ka kaluar përmes Komisionit evropian dhe vendimi ka qenë më pas politik. Vendet anëtare janë duke u kthyer më teknike se vetë komisioni evropian.

Juli Xhokaxhi: Kryeministri Rama sot ka thënë që negociatat janë çështje e brendshme e BE dhe jo se Shqipëria nuk ka arritur të plotësojë kushtet dhe kriteret. Një pjesë e zyrtarëve të lartë kanë thënë se Shqipëria ka ende shumë për të bërë. Kë duhet të besojmë ?

Klajda Gjosha: Patjetër që BE ka problematika të saj sepse ka të bëjë me vetë reformimin e BE por kjo nuk i pengon vendet si shqipëria që të ecin përpara me proceset në bazë të meritave. Diskutimet më të mëdha kanë të bëjnë me kushtet, kriteret dhe standardet, Shqipëria ka patur një mangësi të theksuar në plotësimin e kushteve. Fakti që në 2018 Shqipërisë iu vendosën kushte iu dha edhe një datë, dhe institucionet tona në momentin që duhet të vendoseshin në një punë kolosale dhe në vend që mazhoranca ti shtrinte dorën opozitës, për të vazhduar të përmbushte kushtet nuk bëri asgjë. Asgjë nuk u bë për përmbushjen e këtyre kushteve. Bundestagu gjerman ka qenë i prerë, deri në plotësimin e kushteve të vendosura nuk ka një datë të çeljes së negociatave.

Juli Xhokaxhi: Si është e mundur që Bundestagu gjerman jep një PO me kushte të fuqishme, dhe ministri i jashtëm gjerman jep sot një parantezë të tillë?

Klajda Gjosha: Mos harrojmë se edhe ministri jashtëm vjen nga një parti politike. Bundestagu gjerman është mbi kancelarinë. Është e qartë që Shqipëria do të ketë kushte për këtë çështje.

Juli Xhokaxhi: Ka një element që vlen të përmendet, Maqedonia e Veriut iu kërkua marrëveshja për ndryshimin e emrit me Greqinë, Shqipërisë i është kërkuar reforma në drejtësi, sa rrezikon BE në këtë moment që të zhgënjejë pritshmëritë e qytetarëve?

Klajda Gjosha: Nuk është e njëjta gjë të ndryshosh emrin dhe të firmosësh një marrëveshje e cila ka qenë historike për Maqedoninë e Veriut ndërsa Shqipëria ka kosto, thoni ju, por ka kosto për mirë për të përmirësuar një sistem. Shpresa te ajo reformë ka qenë shumë e madhe. Janë dy çështje të ndryshme. Tashmë vendet anëtare duan të shohin edhe implementimin e reformave. Shqipëria ka patur gjithmonë ligje të mira por zbatimi i tyre ka patur probleme.

Juli Xhokaxhi: Sot ka qenë kryeministri italian Giuseppe Conte në Shqipëri i cili ka shprehur mbështetjen e Italisë në lidhje me hapjen e negociatave. Sa vlen një aleat si Italia?

Klajda Gjosha: Italia ka qenë gjithmonë mbështetëse. Italia është një vend që ndahet në kufi me Shqipërinë dhe i intereson stabiliteti ekonomik dhe politik i Shqipërisë sepse qytetarët shqiptarë që largohen drejt Italisë nuk janë mirë për të. Italia di të bëj mirë kalkulimet e saj.

Juli Xhokaxhi: Si funksionon çështja e vetos?

Klajda Gjosha: Do të mjaftonte vetëm Franca kundër, dhe do të thotë një JO e prerë për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Juli Xhokaxhi: Si do të reflektoje politika shqiptare ndaj një PO-je apo një JO-je nga BE?

Klajda Gjosha: Përgjegjësi për procesin e integrimit kanë të gjitha palët, por ekzekutivi është ai që vepron ndaj këtyre proceseve. Ne kemi ofruar një zgjidhje, e cila e pranon të ulet me mazhorancën e të diskutojmë në lidhje me reformën zgjedhore. Ndaj përgjegjësia është shumë me e madhe e qeverisë. Për sa kohë kryeministri e konsideron procesin e integrimit si një çështje dashurie nuk do kemi asnjëherë asnjë rezultat. Evropa është proces përgjegjësie dhe detyrimesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!