Kim e Soreca ndjekin votimin në Durrës: Shqiptarët po e bëjnë detyrën, kandidatët të presin rezultatin

schedule15:40 - 25 Prill, 2021

schedule 15:40 - 25 Prill, 2021

Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i Bashkimit Evropian Luigi Soreca ndaluan së fundmi në Durrës për të parë më nga afër procesin e votimit në qendrën e vendosur në universitetin Aleksandër Moisiu.

Duke folur para mediave, diplomatja amerikane u shpreh e kënaqur për nivelin e pjesëmarrjes deri më tani. Ambasadorja u shpreh se janë të frymëzuar nga pjesëmarrja e lartë ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë po e bëjnë detyrën e tyre dhe po tregojnë që u intereson vendi i tyre.

Sa i përket incidenteve të regjistruara deri më tani, Kim tha se u takon autoriteteve përgjegjëse që t’i hetojnë deri në fund.

 “Kemi qene në të gjithë vendin. Jemi shumë të frymëzuar nga pjesëmarrja e lartë në votime. Kjo tregon që shqiptarëve u intereson vendi i tyre. E di që kanë qënë disa incidente dhe është përgjegjesi e autoriteteve që të investigojnë. U kemi bërë thirrje prokurorëve t’i hetojnë këto çështje deri në fund. Autoritetet janë duke bërë punënë e tyre, qytetarët janë duke bërë punën e tyre. Ka ardhur koha që edhe kandidatët dhe drejtuesit politikë të presin rezultatin…” 

Kurse, Soreca solli në vëmendje se shqiptarët kanë edhe tre orë kohë dhe u bëri thirrje që të dalin e të votojnë. Pas votimit, ambasadori i BE-së në Shqipëri tha se duhen pritur me durim rezultatet si nga qytetarët ashtu edhe nga liderët politikë.

“Ka qenë kënaqësi që kemi shkuar në vende të ndryshme të Shqipërisë, së bashku me mikeshën time, ambasadoren Kim. Mua personalisht, më pëlqen shumë kur bisedoj me qytetarë të Shqipërisë. Komentet që kemi marrë sot, kanë qenë të qarta, se Shqipëria po shpreh vullnetin e saj duke votuar. Në fakt votimi ka ecur kryesisht mirë, pa probleme, pavarësisht disa gjerave të ndryshme që mund të kenë ndodhur, që do të hetohen dhe procedohen. Ka ende 3 orë kohë, ndaj thirrja jonë është për qytetarët e Shqipërisë. E dimë se është një ditë e bukur, por duhet të vini të votoni. Pas votimit, ju lutem presim me durim. Po ashtu edhe për udhëheqësit politik. Kini durim dhe respektojeni se cili do të jetë rezultati. Edhe tani që po flasim, kemi ekipe tonat që janë në të gjithë Shqipërisë. Po i ndjekim gjerat nga afër. Votoni, votoni, për të ardhmen e Shqipërisë në BE.” sb/abcnews.al/