Kemal Kilicdaroglu, kandidati i opozitës turke në zgjedhjet presidenciale të së dielës, tha se se rritja e aksioneve turke do të thotë se tregjet besojnë se aleanca e tij do të fitojë të dielën dhe i besojnë aleancës së tij.
Duke vënë në dukje se Turqia ka marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë, Kemal Kilicdaroglu tha se do të përpiqet të gjejë një ekuilibër në politikën e tij të jashtme në lidhje me marrëdhëniet me Moskën.
“Ne duam të ruajmë marrëdhëniet tona, nuk duam të prishim marrëdhëniet tona miqësore, por nuk do të lejojmë ndërhyrje në punët tona të brendshme”, tha ai.
Nëse ai fiton zgjedhjet e së dielës, kandidati i opozitës turke do të promovojë një nismë të re paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Është shumë e rëndësishme për ne dhe për të gjithë botën që të arrihet një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës. Por ne do ta bëjmë të qartë se nuk mendojmë se është e drejtë që ndonjë vend të pushtojë një vend tjetër”, theksoi ai.
I pyetur nëse do të mbështeste zgjerimin e NATO-s nëse zgjidhej president, ai u përgjigj “Sigurisht”.
“NATO nuk është vetëm një organizatë ushtarake në shekullin e 21-të, ajo është gjithashtu një organizatë që mbron demokracinë. Ne do t’i ruajmë marrëdhëniet tona me NATO-n në të njëjtin kontekst si në të kaluarën”, deklaroi Kemal Kilicdaroglu, duke shtuar se një problem thelbësor në politikën e jashtme të periudhës së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit ishte përjashtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme nga procesi për formulimin e politikave.
“Ne do të ndjekim një politikë të jashtme të orientuar drejt paqes, e cila do t’i japë përparësi interesave të Turqisë. Prioriteti ynë janë interesat tona kombëtare dhe të veprojmë në harmoni me botën moderne”.
/abcnews.al