Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

KiE, alarm për paraburgimin në Shqipëri/ Drejtori për sundimin e ligjit: Norma, 5 herë me lartë se në BE

schedule14:51 - 8 Shkurt, 2026

schedule 14:51 - 8 Shkurt, 2026

Shqipëria ka norma paraburgimi deri në pesë herë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian.

Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm i të Drejtave të Njeriut dhe Sundimit të Ligjit në Këshillin e Europës, theksoi se këto janë sfida serioze për vendin, ku paraburgimi përdoret gjerësisht dhe në periudha kohore të tejzgjatura.

Esposito, në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, citoi gjetjet e raportit të fundit të Komitetit për Parandalimin e Torturës duke konfirmuar se situate në Shqipëri është vërtet shqetësuese.



“Shkalla e paraburgimit në Shqipëri prej 94.6 personash për 100,000 banorë është pothuajse katër ose pesë herë më e lartë se mesatarja e BE”, tha Gianluca Esposito.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga nëntori 2025, popullsia e burgjeve në Shqipëri ishte 4,578 të burgosur, 58% e të cilëve ishin në paraburgim.

Raporti zbulon se Shqipëria është ndër vendet me normat më të larta të burgosjes brenda Këshillit të Evropës, ndërsa përdorimi në rritje i paraburgimit ka kontribuar në mbipopullimin në disa qendra paraburgimi.

Tjetër shqetësim i madh mbetet kohëzgjatja e paraburgimit, me një normë mesatare mbi 8 muaj ose 253 ditë.

“Kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit dhe mungesa e arsyetimit të mjaftueshëm gjyqësor janë identifikuar gjithashtu nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në disa vendime kundër Shqipërisë”, shtoi më tej Gianluca Esposito.

Sipas Esposito paraburgimi i zgjatur ndikon drejtpërdrejt në lirinë individuale dhe minon parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapa për të përmirësuar legjislacionin dhe praktikat gjyqësore.

Thirrje që është dëgjuar nga kryeministri Edi Rama, i cili ndau të njëjtin shqetësim duke marrë për referencë 33 masat e fundit të sigurisë për Kurum.

“Arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes”, tha kryeministri Rama.

Por edhe kryeministri Rama konfirmoi se qeveria shumë shpejt do të ndërhyjë me masa konkrete për të adresuar problemin e paraburgimit në Shqipëri.

“Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera me atë që e kam quajtur reflektim i madh dhe për të cilin po punojmë me një sërë partneresh shumë të rëndësishëm europian për të bërë ndërhyrjet e duhura dhe pa humbur shumë kohë”, shtoi më tej kreu i qeverisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!