“Khashoggi”, prokuroria turke publikon variantin zyrtar: U vra sapo shkeli në konsullatë

schedule22:22 - 31 Tetor, 2018

schedule 22:22 - 31 Tetor, 2018

Prokuroria turke ka publikuar variantin zyrtar mbi vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi në konsullatën saudite në Stamboll. Ndërkohë, klasa politike në Ankara ka deklaruar se vrasja nuk mund të jetë kryer pa një urdhër nga lartë të familjes mbretërore saudite.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Turqi ka publikuar të mërkurën variantin e parë zyrtar mbi dinamikën e vrasjes së gazetarit saudit Xhamal Kashogi. Sipas autoriteteve turke, Kashogi është vrarë me mbytje sapo ka hyrë në selinë e konsullatës saudite në Stamboll dhe menjëherë më pas trupi i tij është copëtuar, sipas një plani të paramenduar. Sidoqoftë, në deklaratën e shpërndarë dy ditë pas takimit me homologun saudit, zyra e kryeprokurorit turk Irfan Fidan nuk ka publikuar prova që të konfirmojnë pistën e tij. Gjithashtu, në deklaratë thuhet se në takimin me zyrtarin arab nuk u arrit ndonjë rezultat konkret.

Më vonë gjatë së mërkurës, zëdhënësi i partisë në pushtet, Omer Çelik deklaroi se vrasja e Kashogit nuk mund të jetë kryer pa një urdhër nga kokat e larta të mbretërisë saudite. Çelik tha gjithashtu se është e pamundur që autoritetet të mos kenë gjetur ende trupin e gazetarit kur po bëhet një muaj nga nisja e hetimeve. Vdekja e Kashogit ka futur në krizë familjen mbretërore në Arabinë Saudite, e cila në fillim mohoi të kishte dijeni mbi zhdukjen e gazetarit më 2 tetor. Por më pas shteti i Gjirit pranoi përgjegjësinë dhe doli me variantin se gazetari kritik i regjimit saudit ishte vrarë nga agjentë rebelë të shërbimeve sekrete. Lidhur me vrasjen autoritetet në Rijad arrestuan 18 të dyshuar, të cilët do të gjykohen në vendin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!