KFOR-i përgënjeshtroi Kurtin për Ibrin, analisti: Kryeministri po dëmton reputacionin e Kosovës

schedule13:47 - 9 Gusht, 2024

schedule 13:47 - 9 Gusht, 2024

Autoritetet e Kosovës kryen të mërkurën inspektime mbi qëndrueshmërinë fizike të Urës së Ibrit, duke thënë se gjithçka është bërë në koordinim me KFOR-in.

Por kjo është hedhur poshtë nga vetë zëdhënësi i KFOR i cili nëpërmjet një deklaratë ka sqaruar se misioni i NATO-s nuk ishte i përfshirë në këtë situatë dhe se për inspektimin fillestar të së mërkurës është njoftuar vetëm disa orë para nisjes së procesit.

Analisti Artan Berhami në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, akuzoi kryeministrin Albin Kurti për politikën e ndjekur nga ana e tij lidhur me këtë çështje.

Ai tha se kryeministri Kurti nuk është koordinuar aspak me bashkësinë kombëtare dhe se nuk po ecën paralelisht me rrugën e SHBA-së. Kjo sipas tij ka dëmtuar edhe reputacionin e Kosovës.

“Për herë të parë kemi një kryeministër që nuk është i kordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk ecën paralelisht me SHBA që ka mbështetur lirinë e Kosovës. Ky kryeministër ka mendësinë e Vuçiçit dhe me këtë mendësi po operon edhe në veri. Bëhet fjalë për dëmtim të reputacionit të Kosovës, por ky nuk është problemi i tij se ka për qëllim vetëm të marrë vota. Këtu Amerika po portretizohet si armike e Kosovës dhe mendoj që këtu ka faj edhe opozita që të sqarojë më mirë pozicionin e SHBA. Ura është e hapur për këmbësorë dhe jam që ajo të hapet. Ura ka qenë simbol i ndarjes dhe kjo nuk duhet të jetë më sepse nuk duhet të ekzistojë më. Tashmë Kosova duhet të ndjekë rrugë e dialogut me fitore diplomatike. Por rruga e Kurtit është ajo e votave pasi interesi i tij është vetëm personal”, ka thënë ndër të tjera analisti Berhami.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!