VIDEO/ “Këtu jetohet dhe bëhet qejf, njerëzit i ke në kafe”: Deklaratat e emigrantëve të kthyer nga Amerika shkaktojnë debat në rrjetet sociale

schedule15:54 - 18 Qershor, 2022

schedule 15:54 - 18 Qershor, 2022

Rubrika “Box Pop” është kthyer në dritaren më të rendësishme të problematikave të përditshme të qytetarëve në median online në vend duke kapur shifra rekord shikueshmërie nga videoja në video.

Sëfundmi, vëmendjen e përdoruesve të rrjeteve sociale dhe lexuesve të mediave online e kanë tërhequr deklaratat e një çifti emigrantësh shqiptarë që janë rikthyer nga SHBA-të pas 25 vitesh me qëllim të jetuarin në Shqipëri.

Gjatë prononcimit për mikrofonin e Abcnews.al, çifti i emigrantëve shprehet se asnjë pasuri nuk vjen pa punuar fort dhe se po të punosh rriten edhe të ardhurat duke marrë si shembull edhe faktin se mjaft shqiptarë ankohen për pagat e ulta.

“Këtu në Shqipëri jo vetëm jetohet, por bëhet qejf. Njerëzit i ke në kafe gjithë ditën. Në Amerikë dy veta sheh nëpër kafe. Paga të ulta ka edhe atje. Paga është sipas aftësive. Nëse je i aftë paguhesh më shumë, nëse je i paaftë  do pranosh një pagë më të ulët. Ne jemi kthyer pas 25 vitesh në Amerikë dhe do të jetojmë këtu. Kemi blerë edhe shtëpi. Ne marrim një gjysmë pensioni nga SHBA-të dhe tani do të vendosemi në Shqipëri”, thanë ata duke shkaktuar mjaft reagime në rrjetet sociale.

Videoja në fjalë është parë nga të paktën 282 mijë persona në vetëm 5 orë duke marrë 3 600 komente dhe 8 100 likes vetëm në Facebook.

Mjaft prej komentuesve theksojnë faktin se çifti në fjalë e ka të lehtë të jetojë këtu duke patur të ardhura të mira nga Amerika, ndërkohë që shqiptarët që punojnë këtu lodhen për të siguruar të ardhura minimale.

“Ju flisni kështu se keni pension amerikan, po ta kishe pensionin 7 000 lekë të reja do ta shikonim sa mirë jetohet këtu”, komenton një qytetare, ndërkohë që të tjerë shprehen se duhen marrë parasysh familjet dhe qytetarët me të ardhura të ndryshme për të bërë një vlerësim dhe jo vetëm ata me të ardhura të mira.

Po ju si mendoni? A ka të drejtë çifti i emigrantëve ku thotë se këtu bëhet qejf dhe jetohet mirë nëse punon apo jo?

Jepni mendimin tuaj në RRJETET TONA SOCIALE. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!