Nga anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështja e Ballkanit të Hapur e deri tek lejimi apo jo i kultivimit të kanabisit për qëllimet mjekësore janë disa nga pyetjet që do t’u shtrohen qytetarëve në nismën e paralajmëruar Dhjetorin e vitit të kaluar nga Kryeministri Edi Rama gjatë Këshillimit Kombëtar.
Përmes një video në rrjete sociale Rama u bën thirrje qytetarëve që ta plotësojnë pyetësorin sipas tij për të dëgjuar njëri tjetrin për të mirën e përbashkët. Kryeministri thumbon edhe opozitën në mesazhin e tij duke thënë “të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre të na marrin peng të ardhmen”. Në video-mesazh, Rama thotë se është koha që të nxirren mësime pas 30 vitesh dhe të merret mendimi i gjithësecilit.
“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni dita-ditës me një nisëm të re të qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike. Çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki.
Është koha të nxjerrim të gjithë mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra “i djathtë” “i majtë”, të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit. Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë“, thotë Rama.
Pyetësorin ftohet ta plotësojë çdo qytetar mbi 18 moshën vjeç. Lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në familjen Europiane qytetarët ftohen të përgjigjen përmes tre opsioneve nëse Shqipëria duhet të vlerësohet ndarazi nga Maqedonia e Veriut, nëse ne duhet të vazhdojmë të presim heqjen e vetos mbi Maqedoninë e Veriut dhe variant i tretë është ai i të mos pasurit asnjë gjykim mbi këtë çështje. Jo pak interes përbën edhe çështja e shumëpërfolur nga kryeministri Rama ajo për lejimin e kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të kontrolluar nga shtetit të kanabisit për qëllime mjekësore pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Edhe për këtë temë qytetarët vihen përballë tre alternativave; ‘Shqipëria duhet ta lejojë kultivimin e kanabisit’, ‘Nuk kemi nevojë për këtë nismë’ dhe ‘Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje’. Pjesë e pyetësorit janë edhe tema të ngritura me shqetësim nga Kryeministri në daljet e tij publike, si nisma e Ballkanit të Hapur. be.k/abcnews.al