Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë publikoi rezultatin përfundimtar të votave të rregullta në zgjedhjet e së dielës, sipas të cilit fituese është Lëvizja Vetëvendosje me 25.48%. Në këtë rezultat nuk përfshihen votat me kusht dhe ato të Diasporës. Po sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi qe nuk do të ketë rinumërim të votave.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë ankesat e tri partive politike, LDK-së, PDK-së dhe koalicionit Nisma-AKR-PD të cilat kërkonin rinumërim të votave me pretendimin se kishte një gabim teknik në formularë të rezultateve të subjekteve politike.
Ndërsa kamë publikuar të rezultateve përfundimtare të votave të rregullta në bazë të së cilave prin Lëvizja Vetëvendosje me 25.48% të votave, LDK-ja mbetet e dyta me 24.82% të votave, PDK e treta me 21.24% , AAK 11.57%, ndërsa Nisma-AKR 4.96% të votave që i bie të mos e kalojë pragun zgjedhor prej 5%. Ka mbetur edhe numërimi i votave me kusht deri në shpalljen përfundimtare të këtyre rezultateve.
Ndryshe procesin zgjedhor në përgjithësi misioni vëzhgues i BE-së e konsideron transparent. Ndërsa ka kritika për garë jo fer në veri.
“Këto zgjedhje ishin të administruara mirë dhe transparente. Fushata ishte e gjallë dhe konkurruese duke i lejuar garuesve që të bëjnë fushatë lirshëm në Kosovë. Ambienti i fushatës në veri u cenua nga frikësimi, duke vënë në shënjestër kandidatët dhe përkrahësit që nuk ishin rreshtuar me Listën Serbe”.
Gjatë ditës fituesi i zgjedhjeve në bazë të rezultateve preliminare Albin Kurti ka pritur në zyrat e tij ambasadorin amerikan Philipe Kosnet. Sipas Vetëvendosjes në takim është diskutuar për dialogun Prishtinë Beograd dhe luftën kundër korrupsionit.
Derisa po pritet në koalicion i mundshëm LDK-LVV kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka lënë të kuptohet se nuk do të bashkëqeverisë me Kurtin, madje duke e quajtur atë mashtrues.
Kosova të dielën mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit./ABC News Albania 24/7