Ironia e një ditë më parë nuk e karakterizon më Presidentin e Republikës, Ilir Meta, një ditë më pas. Këtë e tregon reagimi i zëdhënësit të Presidentit të Republikës,Tedi Blushi në lidhje me propozimin e ri për emërimin e Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm.
“Pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim”.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit, Endri Fuga, i cili e përshëndet në emër të kreut të qeverisë, por edhe jep disa sqarime mbi herën e parë të mosbindjes së Presidentit.
“Herën e parë Presidenti i Republikës nuk ka kërkuar asnjë lloj sqarimi nga Kryeministri, përkundrazi ka qenë Kryeministri që i ka kërkuar një takim sqarues Presidentit, pas letrës së dërguar nga ky i fundit për të shprehur refuzimin e paargumentuar të gjeneral Sandër Lleshit, si Ministër i Brendshëm, Kryeministri Edi Rama, e siguron opinionin publik se ditën e hënë, Presidenti Meta do të marrë përgjigje të qarta e të plota, lidhur me pyetjet e tij të dërguara shkresërisht”.
Jo vetëm kaq, po në funksion të adresimit shterues të problemit, që Presidenti i Republikës nuk e ka ngritur si problem në bisedën me Kryeministrin, por e ka ngritur shkresërisht, në formë pyetësori drejtuar ministres së Mbrojtjes, vetëm të premten, Presidenti do të marrë bashkë me përgjigjet edhe një zgjidhje shteruese, e cila nuk lë më asnjë shteg për interpretime të asnjë lloji, për asnjë pale, e siguron kryeminstria presidencën.
Megjithatë besimi që karakterizon deklaratën e Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit te Presidenti i Republikës, nuk do të ketë asnjë arsye të lëkundet në bindjen e vet për respektimin e Kushtetutës dhe do ta dekretojë Ministrin e Brendshëm, për të ngjitur me sukses krisjen kushtetuese që ka sjellë e shtuna e shkuar. Në fakt kreu i qeverisë e paralajmëroi këtë reagim të presidentit që të premten. Këtë herë duket e vërtetë shprehja e kryeministrit Rama se politika është si një lojë shahu./abcnews.al