Kërkesa e PS për shkarkimin e kreut të KQZ futet në kalendarin e Kuvendit

schedule16:12 - 30 Nëntor, 2017

schedule 16:12 - 30 Nëntor, 2017

Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur para seancës së sotme parlamentare, vendosi futjen e kërkesës së socialistëve për shkarkimin e kryetarit të KQZ në kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit. ABC News siguroi një kopje të kësaj kërkese, të depozituar në kuvend në 14 nëntor.

Konferenca e Kryetarëve gjatë mbledhjes së saj mëngjesin e 30 shtatorit, ka futur në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin e kryetarit të KQZ, Klemend Zguri.
Partia Socialiste ka finalizuar kështu një pretendim, të konsideruar nga opozita si jashtë tagrit të saj, duke nisur procedurën për shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithçka nisi me pretendimin e socialistëve, se Klemend Zguri shkeli rëndë ligjin me mosveprimin e tij kur nuk mblodhi komisionin për shqyrtimin e dokumentacionit për Agron Kapllanaj.
Ishte deputetja Klotilda Ferhati ajo që njoftoi depozitimin e një kërkese të grupit socialist për shkarkimin e Klemend Zgurit, 11 ditë pasi ky komision doli me vendim konform ligjit dhe rregullores, për rastin në fjalë.

Një kopje të kërkesës së socialistëve të cilën vetë ata por edhe Kryesia e Kuvendit nuk e ka bërë ende transparente për publikun, e ka siguruar ABC News.
Ajo që bie në sy është se kërkesa pranon se konform nenit të sipërcituar të Kodit Zgjedhor, dy anëtarët Denar Biba dhe Bledar Skënderi thirrën mbledhjen e KQZ-së, por njëkohësisht kërkon që kjo të konsiderohet si përjashtim nga rregulli, pasi nuk është realizuar asnjëherë më parë.

Një tjetër argument i kërkesës së socialistëve është fakti se zgjedhja e Zgurit në Krye të KQZ-së erdhi si pasojë e marrveshjes Rama-Basha të 17 majit. Duke e konsideruar sit ë përfunduar marrëveshjen, tekstualisht kërkesa pretendon se “në këtë rast Kodi Zgjedhor i Republikës është kthyer në pengesë që Kuvendi të largojë kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve”.

Për këtë arsye, kërkesa i referohet Nenit 18 pika dh) si bazë ligjore, i cili përcakton se ndërprerja para kohe e mandatit të Kryetarit të KQZ-së ndodh kur ky i fundit…

———–KODI ZGJEDHOR NENI 8—————-
“…me veprim ose mosveprim cënon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për […]të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre…
Edhe pse vendi nuk ndodhet në periudhë zgjedhore apo referendare, ky është neni ku PS ka vendosur të bazohet në kërkesën e saj. Kjo e fundit kërkon shkarkimin e kreut të KQZ përmes një procedure që kalon përmes Kuvendit”.

Por në vazhdim të nenit 18 të referuar nga socialistët, pika 2 përcakton se:

———–KODI ZGJEDHOR NENI 18—————-
“…Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së […]. KQZ është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun…”

Po ky Kod në nenin 24 të tij përcakton edhe fatin e këtij propozimi për shkarkim:

————–KODI ZGJEDHOR NENI 24 ———————–
“Konsiderohen të miratuara kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së”.

Thënë këtë, bazuar në ligjet e shtetit Shqiptar, Kuvendi ka të drejtë të shkarkojë me vendim kreun e KQZ, vetëm pasi kjo propozohet nga vetë institucioni.
Por socialistët e kanë një arsyetim alternative kur shkruajnë se vetëm pse ky propozim pamundësohet pasi KQZ nuk i ka votat e mjaftueshme për të kërkuar shkarkimin e kreut të saj, kjo sipas socialistëve nuk mund të bëhet shkak që ndalon Kuvendin për të vendosur vetë për fatin e mandatit të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

 

https://youtu.be/OPDjwjxY2go

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!