Kërcënimet e Laert Haxhiut/ Kryeprokurori Çela: Po kalojmë periudhë të vështirë, pengesat i kapërcejmë së bashku

schedule10:15 - 13 Tetor, 2023

schedule 10:15 - 13 Tetor, 2023

Kryeprokurori i Përgjithsëm, Olsian Çela ka mbajtur fjalën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, teksa këtë të premte do të zgjidhen 3 anëtarët e rinj.

Çela u shpreh se prokurorët po kalojnë një periudhë të vështirë, duke iu referuar edhe kërcënimeve nga bota e krimit, ku pas dëshmive të Artan Tafanit, të penduarit të drejtësisë, u zbulua se grupi i Laert Haxhiut do të ekzekutonte dy prokurore.

Sipas Çelës, pengesa të tilla mund të kapërcehen vetëm duke qëndruar së bashku.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë.

Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë. Vendi ka nevojë për magjistratë të pavarur nga kushdo, që pikë referimi kanë kushtetutën dhe ligjin, dhe kanë kurajon dhe energjinë të përballen me sfidat e profesionit të vështirë që kanë zgjedhur”, deklaroi Olsian Çela./abcnews.al