“Keni porositur picë”, 3 grabitësit e pazakontë përfundojnë në Gjykatë pas sulmit ndaj një çifti

schedule23:20 - 12 Prill, 2021

schedule 23:20 - 12 Prill, 2021

Tre të rinj kanë përfunduar në gjykatë, për shkak se akuzohen për sulm dhe grabitje të një çifti ndërsa ishin maskuar si shpërndarës picash.

Mësohet se është dashur këqyrja e një numri të madh të kamerave të sigurisë për të zbuluar dhe identifikuar tre personat , të cilët shtiren si shpërndarës picash, por në fakt janë hajdutë.

Njëri prej tyre është identifikuar nga hetuesit përmes shenjave të gishtave të lëna në kutinë e picës në banesën e një çifti në Tiranë. Ai është Kristjan Gjoka, ndërsa dy të tjerët, bashkëpunëtorë, Anton Kolndrea dhe Eduart Gjoka.

 

Të tre kanë trokitur në derë dhe kanë janë përleshur me pronarët e banesës, të cilët janë habitur pasi nuk kishin porositur pica. Ata kanë tentuar të vjedhin me dhunë banesën e një 29 vjeçari. Ky i fundit, teksa denoncoi rastin në komisariatin numër 3, u tregoi oficerëve edhe mënyrën se si ndodhi ngjarja. Ai i tha policisë se rreth orës 22:30, një djalë i ri me kaskë motori në kokë që mbante në dorë një kuti picash i ra ziles së shtëpisë.

Pasi bashkëshortja e tij i kishte treguar këtë skenë, 29 vjeçari kishte hapur derën dhe shpërndarësi i rremë i kishte thënë: “keni porositur picë”.

Por, i zoti i shtëpisë i ishte përgjigjur: “keni ngatërruar adresë, nuk kemi porositur picë”.

Pikërisht në atë moment, 29 vjeçari bie pre e sulmit duke u goditur me shkelm. Ndërsa nga korridori i katit të shtatë dalin edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve në dorë mbante një thikë. Sapo ka tentuar ta qëllojë 29 vjeçarin, ai ka mbyllur menjëherë derën e shtëpisë.

Në sheshpushimin e pallatit, tre picierët e rremë kanë hedhur kutinë e picës, e cila më pas u sekuestrua nga policia. Hetimi zbuloi se kutia mbante logon e një picerie me seli në Babrru. E.L/abcnews.al/