Baritoni Artur Vera dhe sopranoja Suada Gjergji u shpallën fitues të edicionit të 77 të konkursit për këngëtarët e rinj lirik “Comunita Europea”, në Spoleto të Italisë, mes 100 të rinjve nga e gjithë Europa.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Arturi ka treguar prapaskenat e këtij çmimi, se si u përzgjodh në Shqipëri dhe deri rrëmbimi i çmimit në Itali. Ai theksoi se ky konkurs i ka hapur rrugën për shumë bashkëpunime në mbarë botën, pasi ka firmosur edhe një kontratë.
“Ky është një konkurs pas 77 vitesh, me një rëndësi të veçantë në Itali. Është konkursi i këngëtarëve lirik në Itali. “Comunita Europea” quhet, me pjesëmarrës nga të gjitha vendet, sidomos nga Italia, por edhe nga Shqipëria. Ne kemi bërë fillimisht një audicion në Shqipëri për të shkuar atje. Pra, janë bërë zgjedhjet në Shqipëri fillimisht në Universitetin e Arteve me pjesëmarrës nga i gjithë Ballkani, nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, konkurentë dhe jemi përzgjedhur vetëm tre për të shkuar në Itali, unë, Suada Gjergji sopranoja dhe tenori Redon Sinella. Pastaj shkuam në Itali dhe bëm konkursin atje, është konkurs i rëndësishëm.
Kanë qenë diku 118 pjesëmarrës dhe ishte një garë shumë e vështirë. Një aktivitet i tillë është i rëndësishëm, sepse ti shikon veten në raport me kolegët e tjerë, shikon diçka tjetër, e sprovon veten tënde dhe krijon ura, lidhje të tjera komunikimi me teatrot jashtë për shfaqjet jashtë. Ky çmim vjen dhe si rrjedhojë me teatrin atje. Pra, ne kemi firmosur edhe një kontrat në fund të konkursit, ku hapet rruga e bashkëpunimit për shfaqjet që janë të parashikuara në kalendarin e tyre artistik. Kështu që është gjë jo e mirë, por shumë e mirë urojmë. Unë jam prezantuar me 6 arie dhe një rol, duhej dhe një rol gati. Ishte goxha intensiv si konkurs, pasi u zhvillua në 3 ditë rresht, faza e parë, gjysmëfinalja, finalja dhe pastaj ndarja e çmimeve”, tregoi baritoni./abcnews.al