Këndojnë për Enver Hoxhën, Berishën & Bashën, artistët rrëfejnë prapaskenat e këngëve

schedule23:00 - 27 Mars, 2021

schedule 23:00 - 27 Mars, 2021

Në mbrëmjen e kësaj të shtune në Soiree me Jonida Shehun ishin të ftuar artistët Paro Zifla, Golik Jaupi dhe Arif Dushaj për të rrëfyer prapaskenat e këngëve të tyre dedikuar liderëve politikë.

Legjendat e iso-polifonisë labe Paro dhe Golik në vitin 1983 kanë kënduar këngën “Rrofsh sa mosh e kësaj toke”, dedikuar për Enver Hoxhën. Një këngë që asokohe ka bërë shumë zhurmë dhe nga performance e dy këngëtarëve, Enver Hoxha edhe ka nxjerrë lot.

Golik Jaupi ka treguar se kanë qenë disa poetë që kanë shkruar këtë këngë dhe jo vetëm një person i vetëm, teksa ka theksuar se të këndonte për Enver Hoxhën ka qenë një nder i madh.

“Poetët që morën pjesë në këtë këngë ka qenë i pari Maliq Lila, Agim Shehu, Petrit Uka, Qazim Shemja. Ai tekst nga ajo këngë është bërë nga shumë njerëz, jo nga një. Ata kanë dhënë kontributin e tyre”, ka thënë Golik Jaupi.

Ndërkohë Paro Zifla ka treguar se kur ka kënduar këtë këngë kishte shumë emocione, pasi mbante mbi shpatulla një përgjegjësi të madhe.

“Na thanë që nuk do të shtoni asnjë fjalë. Do t’i përmbaheni vetëm tekstit. Nëse atyre iu lindte mendimi që para skënës të ndërronin një fjalë ose një fjali, duhet ta mësonim urgjentisht brenda 5 sekondave se duhet të këndoj ashtu siç thoshnin”, është shprehur Paro.

Një tjetër këngëtar që i ka dedikuar këngë linerëve politikë është edhe Arif Dushaj. Ai ka kënduar specifikisht për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Në Soiree ai ka treguar se në të vërtet është një fans, por edhe një votues i tyre dhe këngën për ta e ka krijuar në atmosferë fitoreje.

“Unë e kam ndjerë, pa e kam kënduar. Nuk kam përfituar asnjë gjë”, është shprehur ai.

Arif Dushaj ka treguar edhe momentin e sikletshëm, kur teksa po e këndonte pikërisht këtë këngë në një dasmë, janë çuar njerëzit dhe janë larguar.

I pyetur nëse e ka dëgjuar Basha apo Berisha këtë këngë, ai ka treguar se po, madje u shpreh se “Basha e ka pritur me buzëqeshje”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!