“Kemi shumë të rinj”, Dede: Halili po meriton gjithçka vetë, e kisha menduar ndryshe ndeshjen

schedule19:06 - 27 Dhjetor, 2020

schedule 19:06 - 27 Dhjetor, 2020

Tirana nuk fiton sërish ndaj Teutës. Në Durrës dy ekipet u ndanë në barazim me rezultatin 1-1. Pas ndeshjes për Supersport u prononcua trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i cili është mundur vetëm një herë në këtë aventurë të re me kampionët, pikërisht nga Vllaznia, kundërshtari i javës së ardhshme.

“Nervozizmi është pjesë e interpretimit të ndeshjes. Kishte më shumë dyluftime dhe pak taktikë. E kisha parashikuar ndryshe ndeshjen, doja ta kishim goditur në disa momente kundërshtarin. Në pjesën e dytë na vunë në vështirësi. Në disa raste era nuk na la të pasonim.

Nuk jemi konkretë. Në fund të ndeshjes mund të kishim bërë më mirë në disa situata të ndryshme. Kemi shumë të rinj dhe duhet t’i ndihmojmë të rriten. Ka shumë pak diferenca në Superiore. Ishim me 10 lojtarë poshtë linjës së topit dhe nuk e menduam se do pësonim. Duhet të kishim bërë më mirë në krah në rastin e golit. Duhet të bënim më mirë.

Teuta na vuri në vështirësi, pavarësisht se edhe ne kishim rastet tona. Ka shumë lojtarë të rinj dhe duhet t’i fusim në lojë. Nëse i mbështesim ne trajnerët të rinjtë, i bëjmë pak dëm karrierës sonë, po e ndihmojmë klubin për të nxjerrë elemente të talentuar.

Teuta u zgjat shumë dhe tentoi topa të lartë dhe nxora Ismajlgecin e Gjumsin për të përfituar. Në fund ishim me shumë lojtarë para, por nuk arritëm të linim shenjë. Halilin e njoh që të vogël. Në këtë modul bën shumë mirë sepse ka hapësirë. Ka pasur pak minuta në këto vite dhe tani po rritet. Jam i kënaqur nga ai dhe po meriton çdo gjë vetë”, u shpreh Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!