Këmbësorët zaptojnë korsitë e biçikletave

schedule19:55 - 1 Tetor, 2018

schedule 19:55 - 1 Tetor, 2018

Nëse deri më dje ankoheshim se nuk ka korsi të mjaftueshme për biçikletat në kryeqytet, sot i kemi por nuk respektojmë hapsirën për përdoruesit e tyre. Kamera e ABC News bëri një vëzhgim lidhur me problematikën nga ku vumë re se korsitë e biçikletave në rrugën e Kavajës dhe në bulevardin Zogu i parë janë të zaptuara nga këmbësorët, të cilët ecin qetësisht, ç’ka e bën më të komplikuar udhëtimin me biçikletë nëpër Tiranë.

Shpesh trafiku i rënduar i makinave në kryeqytet detyron shumë qytetarë ta shmangin atë duke përdorur biçikletat. Edhe pse korsitë e dedikuara për ata që duan të pedalojnë po shtohen në Tiranë, duket se në shumë raste kemi të bëjmë me një mision të vështirë pasi këmbësorët kthehen në pengesë të madhe duke zaptuar korsinë e biçikletave.

Kjo problematikë haset më shumë në korsitë pranë rrugës së Kavajës dhe bulevardit Zogu i parë. Pavarësisht sinjalistikës e cila tregon mjaft qartë se nuk lejohet kalimi i këmbësorëve, por vetëm i biçikletave, qytetarët duket se vazhdojnë ta shpërfillin sinjalistikën përkatëse dhe të ecin të qetë në korsinë që nuk u përket atyre.

Jashtë kameras një pjesë e atyre që përdorin biçikletën në Tiranë shprehen mjaft të indinjuar dhe theksojnë se ka pasur edhe raste ku janë gjendur pranë incidenteve të ndryshme e për pasojë për t’i shmangur ato janë detyruar të kalojnë në korsitë e automjeteve duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Nga ana tjetër një pjesë e qytetarëve janë të ndërgjegjshëm se ata nuk duhet të kalojnë në korsitë e dedikuara për biçikletat, por shprehen jashtë kameras se u duket diçka më praktike se sa ecja në trotuar./abcnews.al