Këlliçi nga protesta “anti-Vuçiç”: PD po ringrihet, shumë shpejt e kthejmë në krye të qeverisë

schedule17:29 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 17:29 - 20 Dhjetor, 2021

Vijon përballë kryeministrisë protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë. Duke folur nga podiumi, deputeti i PD-së Belind Këlliçi tha se është krenar që në kohë rekord “sheshi u mbush nga mijëra shqiptarë të Shqipërisë por edhe të Kosovës.”

Këlliçi i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama se ndonëse presidentin serb mund ta ketë mik të zemrës, kurrsesi nuk mund ta bëjë mik të shqiptarëve.

https://youtu.be/YYDSfgYIW6c

“Edi Ramës i bëj një thirrje, Vuçiçin mund ta kesh mikun tënd të zemrës por nuk nuk mund ta shesësh për mik të Shqipërisë ministrin e Millosheviçit. Sot ke hequr kërpudhën, mos u shqetëso, e kemi me rrënjën e të keqes dhe korrupsionit, që ka një emër dhe është Edi Rama. Hiq dorë nga largimi masiv që po i bën rinisë shqiptare larg vendit të tyre…”

Po ashtu, anëtari i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit u ndal edhe tek afera e inceneratorëve për të cilën tha se nëse SPAK e ka të vërtetë misionin e tij, nuk duhet të ndalet vetëm tek arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka.

“…Për momentin mund të jetë arrestuar ish-ministri, por pronari i tyre ka një emër, Edi Rama. Nëse SPAK e ka të vërtetë misionin e tij, të refuzojë thirrjen bajate, të kryeministrit. Jam krenar që jam sot mes jush që PD po ringrihet dhe jam i bindur që do t’ia dalim ta kthejmë PD shumë shpejta aty ku i takon, në krye të qeverisë.” /abcnews.al/