Kel Demi: Më vjen keq për Yuri Kim, asnjë udhëheqës politik nuk është tallur kaq keq me amerikanët

schedule09:45 - 6 Tetor, 2020

schedule 09:45 - 6 Tetor, 2020

Pedagogu Ermal Hasimja, në një intervistë për ABC-ja e mëngjesit, foli për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjen e 5 qershorit.

Gjatë bisedës ai theksoi se shqetësimi kryesor i opozitës ka qenë çështja e koalicioneve dhe se problemi sipas tij nuk janë listat e hapura, por thyerja e një tradite që ishte ruajtur prej kohësh.

Gazetari Enkel Demi ndërsa zhvillonte bisedën me pedagogun Hasimja shprehu keqardhje për ambasadoren amerikane Yuri Kim.

Sipas Demit, ajo edhe pse me një karrierë të jashtëzakonshme, dhe me një kontribut të veçantë në diplomaci, kësaj radhe në Shqipëri për sa i përket marrëveshjes së 5 qershorit, është tërhequr prej hunde nga kryeministri Edi Rama.

Demi shprehet se “nuk ka patur asnjë udhëheqës politik që të jetë tallur kaq keq me amerikanët dhe me përfaqësuesit e tyre sa Edi Rama”.

“Në gjithë këtë histori mua më vjen keq vetëm për një personazh, e cila është zonja Yuri Kim.

Në karrierën e saj ka patur momentet e saj të shkëlqimit, veçanërisht për aktivitetin e jashtëzakonshëm që ajo pa patur si diplomate në zbutjen e marrëdhënieve dhe tensioneve në Korenë e Veriut, por ndërkohë ka ardhur në një vend të humbur, që ndoshta nuk ja ka ditur emrin ndonjëherë, në një vend ballkanik, në një vend shumë të vogël, ku e tërheqin për hunde.

Ajo sot është e detyruar të hedhë këtë valle, dhe të bëj sikur nuk e ka kuptuar që e kanë tërheq prej hunde, dhe mbi të gjitha ajo duhet të flasë përpara shefit të saj, që është Mike Pompeo, dhe ti thotë se: “atë përshëndetjen që bëre për marrëveshjen e 5 qershorit duhet ta kthesh pak mbrapsh”.

Nuk ka patur asnjë udhëheqës politik që të jetë tallur kaq keq me amerikanët, dhe me përfaqësuesit e tyre sa Edi Rama. Prandaj  më vjen keq për Yuri Kim. Për shqiptarët, nuk më vjen keq sepse kanë votuar Edi Ramën”, u shpreh gazetari Enkel Demi.

N.D./abcnews.al