Keidi Bare dhe Armando Sadiku takohen te Malaga

schedule13:55 - 14 Shtator, 2019

schedule 13:55 - 14 Shtator, 2019

Keidi Bare dhe Armando Sadiku kanë nisur punën së bashku tek Malaga, në ligën e dytë të Spanjës. Dy lojtarët e kombëtares shpresojnë të jenë të suksesshëm këtë sezon.

Pak ditë më parë u shtua edhe një shqiptar tjetër. Armando Sadiku u bashkua me Keidi Baren, duke u bërë lojtar i Malagës në ligën e dytë të Spanjës, me shpresën për të ringjallur një karrierë mjaft të mirë.

Sulmuesi shqiptar u prezantua dhe u stërvit për disa ditë me pjesën tjetër të skuadrës, por pa Baren, i cili ishte i grumbulluar në ekipin përfaqësues. Në përfundim të dy ndeshjeve eliminatore të Europianit, ndaj Francës në Paris dhe Islandës në “Elbasan Arena”, mesfushori ofensiv 22-vjeçar u kthye pranë skuadrës.

Vetë Malaga postoi në rrjetet sociale, një foto të dy kuqezinjve, Sadikut e Bares, që u takuan me njëri-tjetrin në aeroportin e qytetit, duke i vendosur diçiturën “lidhja e Shqipërisë”.

Bare, më në fund u bashkua me shokët e skuadrës në stërvitje, ndonëse nuk dihet nëse do të përzgjidhet për të qenë në formacion, apo mund ta nisë ndeshjen nga stoli për shkak të lodhjes në Euro 2020./ABC News Albania 24/7