KE, kandidati për komisioner të drejtësisë i dyshuar për pastrim parash

schedule17:15 - 15 Shtator, 2019

schedule 17:15 - 15 Shtator, 2019

Njeriu që synon të mbajë postin e komisionerit të ardhshëm europian të Drejtësisë është nën hetim për pastrim parash. Bëhet fjalë për ministrin e Jashtëm belg, Didier Reinders, mbi të cilin prokuroria e Brukselit ka hapur një hetim.

Policia dhe prokuroria belge po hetojnë dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash që rëndojnë mbi ministrin e Jashtëm Didier Reinders, që synon të bëhet komisioneri i ardhshëm europian i Drejtësisë.

Reinders i ka mohuar akuzat të cilat, sipas mediave belge, lidhen me ndërtimin e ambasadës belge në Kinshasa të Kongos, me dhënien me qera të zyrave të policisë dhe mënyra të tjera.

Hetimet paraprake u shtohen atyre mbi emërat e tjerë për postet e komisionerëve, të cilët u publikuan më herët gjatë javës nga presidentja e KE-së, Ursula fon der Lejen.

Nga hetimet e kryera rezulton se paratë janë marrë ose pastruar prej tij përmes blerjes së veprave antike dhe pronave të patundshme, si dhe transaksioneve në parajsat fiskale.

Reinders, një frankofon liberal që shërben gjithashtu si zëvendës kryeministër i Belgjikës u tha gazetarëve se nuk ishte në dijeni të hetimit. Ai shtoi se i ka kërkuar avokatit të tij të kontaktojë prokurorët për të mbrojtur të drejtat e tij dhe për të mohuar dyshimet e ngritura në adresë të tij.

Hetimet mbi figurën e zyrtarit të lartë u nxitën nga deklarata e një ish-oficeri të shërbimeve sekrete belge që hetonte krimin ekonomik.

Një zëdhënës i Reinders tha se akuzat janë pjesë e një fushate dashakeqe që synon diskretitimin e figurës së ministrit./ABC News Albania 24/7