Kë do të mbështesin shqiptarët në Mal të Zi? Ministri Dukaj: Ne duhet të mendojmë për veten

schedule16:26 - 20 Mars, 2023

schedule 16:26 - 20 Mars, 2023

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç do të përballet në balotazh ne 2 prill me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviç. Ata u renditën të parët në raundin e parë të votimit që u zhvillua dje në Malin e Zi për zgjedhjet presidenciale. Gjukanoviç ka marrë 35 % të votave ndërsa Millatoviç 29,2 %.

Marash Dukaj, ministër i administratës publike në Mal të Zi, në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku tha se rezultati pozitiv ndaj Millatoviç ka ardhur për shkak të programit të pagave që pavarësisht se pati shumë kritika rezultoi shumë i suksesshëm.

Gazetarja: Në njërën anë kemi Gjukanoviç dhe DPS dhe në anën tjetër Millatoviç edhe të gjithë bllokun opozitat përfshirë partitë pro serbe?  I pyetur se cilin kandidat duhet të mbështesin shqiptarët, ai theksoi se ata duhet të mendojnë për veten për një përfaqësim sa më të mirë.

“Për fat të keq nuk jemi të bashkuar sa duhet. Një numër i konsiderueshëm janë deklaruar pro Gjukanoviç në raundin e parë. Një pjesë e partive shqiptare nuk janë deklaruar. Shpresoj që në raundin e dytë do të kemi unifikim të mendimeve dhe qëndrimeve ndaj këtij procesi.

Çka është e sigurt, shqiptarët si asnjëherë më parë do të jenë pjesë e proceseve në rrugë të njëjtë me partnerët tanë ndërkombëtare të BE dhe SHBA. Ne do të konsultohemi dhe besoj dhe shpresoj se do të kemi një qëndrim më të gjerë sepse edhe kjo dalje shumë e vogël te shqiptarët, ishte në nivelin më të ulët.

I takoj një subjekti politik që përfaqëson shumicën e shqiptarëve dhe në raundin e parë nuk u deklaruam. Do të deklarohemi edhe do të jetë padyshim mendim i drejtë që ai kandidat që ne do të mbështesim do të fitojë zgjedhjet. Shqiptarët duhet të mendojnë për veten.“, tha ai. /abcnews.al