Katër ditë pas vendosjes së karantinës kombëtare, Greqia shtrëngon më tej masat anti-Covid

schedule22:13 - 11 Nëntor, 2020

schedule 22:13 - 11 Nëntor, 2020

Autoritetet greke kanë njoftuar sot kufizime më të rrepta në lëvizje, duke zgjatur edhe shtetrrethimin e vendosur në vend pasi rastet me Covid-19 kapën shifra rekord këtë mbrëmje.

Katër ditë pasi vendi është futur në një karantinë të dytë për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ministri i mbrojtjes civile të Athinës, i ngarkuar me përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë, tha se i gjithë qarkullimi do të ndalohet mes orës 21:00 dhe 5.00 të mëngjesit.

“Javët në vijim janë veçanërisht kritike,” tha Nikos Hardalias në një fjalim televiziv.

“Ne e dimë lodhjen që ndiejmë të gjithë, por jemi në një moment kritik dhe duhet të jemi të pajisur me durim dhe këmbëngulje për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe për t’u përballur me valën e dytë,” tha ai.

“Me kufizimin e lëvizjes së panevojshme në të gjithë vendin, ne kufizojmë transferimin dhe transmetimin e virusit dhe zvogëlojmë mundësinë e krijimit të vatrave të reja.”

Zyrtarët grekë të shëndetësisë konfirmuan të mërkurën edhe 2,752 raste me Covid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 63,321.

Nga ai numër, 347 persona ndodhen në kujdesin intensiv, ndërsa ministria e Shëndetësisë njoftoi se pavijonet Covid janë 70% të mbushura. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!