Kastriot Gjuzi refuzon edhe prokurorinë

schedule16:23 - 21 Prill, 2018

schedule 16:23 - 21 Prill, 2018

Edhe në ditën e dytë të seancave të marrjes në pyetje, Kastriot Gjuzi ka refuzuar të flasë. Prokurorët e Tiranës i kanë ofruar statusin e bashkëpunëtorit, por përsëri kanë marrë përgjigje negative nga 40-vjeçari.

Autori i dyshuar i vrasjes së Mario Majollarit, refuzon të flasë edhe para prokurorëve të kryeqytetit, të cilët prej dy ditësh kanë marrë përgjigje negative nga Kastriot Gjuzi.

40-vjeçari nuk kërkon të bashkëpunojë me drejtësinë, duke mohuar të jetë ai autor i vrajses së ndodhur më 10 Prill në zonën e ish-Kinostudios. Pavarësisht kësaj, ekspertët e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës, kanë sekuestruar një automjet që dyshohet se mund të jetë përdorur nga Kastriot Gjuzi mbrëmjen e krimit, duke u larguar në drejtim të Tufinës.

Mjeti ngjyrë gri u gjet i ndezur pak çaste pasi ishte ekzekutuar me katër plumba Mario Majollari. Gjurmët e gishtërinjve dhe shumë element të tjerë plotësues u dërguan në laboratorin  e Policisë Shkencore, për të parë nëse përputhen ose jo me ato të Gjuzit. Ndërkohë personi që akuzohet nga policia për hakmarrje, Kastriot Gjuzi, ishte fiksuar më herët në skenën e krimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, 40-vjeçari ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë fare pranë besën së Mario Majollarit, 3 ditë para se të ndodhte krimi.

Vetëm pak ditë më parë Gjuzi u prangos në kufirin e gjelbër ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai kishte tentuar të kalonte ilegalisht, por u pikas nga rojet e doganës. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçari, kishte dhënë gjeralitete të rreme, duke pretenduar se quhej, Kastriot Gega, por e tradhëtoi mjeti i tij i identitetit, që kishte me vete. Pasi u mor në dorëzim nga policia shqiptare, Gjuzi në mënyrë të vazhdueshme ka heshtuar në seancat e marrjeve në pyetje, duke theksuar se nuk ka lidhje me vrasjen e Mario Majollarit.

Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe një tjetër person që dyshohet se mund ta ketë ndihmuar autorin e dyshuar të krimit të largohet nga vendngjarja. Ndërkohë, uniformat blu po kërkojnë infromacione shtesë nga homologët e tyre kosovarë se kush ishin shtetasit përtej kufirit që i kishin dalë garant Kastriot Gjuzit.

Prokuroria të dielën do të kërkojë para togave të zeza arrest me burg për Gjuzin. Policia thekson se krimi ka ndodhur për shkak të hakmarrjes, pasi 18 viti më parë, babai i Marios, Avni Majollari, kishte ekzekutuar vëllain e Kastriot Gjuzit, Ilir Gjuzi dhe shokun e tij Armando Nelaj. Për vrasje të dyfishtë, Avni Majollari u dënuar nga Gjykata e Tiranës me burgim të përjetshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!