Kushtet ekstreme të motit në këto ditë qershori kanë dëmtuar ekonomitë bujqësore në fshatin Hyzgjokaj të Lushnjës. Fermerët thonë se ky është viti më i keq i prodhimeve të tyre.
Stuhia dhe breshëri në qershor i rrënoi ekonomikisht. Vreshtat, ullishtet, pemët frutore dhe gruri janë kulturat e dëmtuara më tepër në Hyzgjokaj të Lushnjës.
Pronarët e tokave bujqësore po përballen me vitin më të keq të prodhimeve të tyre. Prodhimi në vreshta nuk mund të bëhet as raki. Mundi i një sezoni u iku brenda pak minutave.
Fermerët thonë se nëse do kishin mbështetje me subvencione mund të kishin marrë masa mbrojtëse ndaj të tilla fenomeneve.
Kjo zonë kodrinore, dikur ka qenë e mbjellë në pjesën më të madhe me grurë, por falë punës së fermerëve sot mbillen të gjitha kulturat. Çdo familje i siguron të ardhurat ekonomike vetëm nga puna në bujqësi. /abcnews.al

