Kapllanaj: Bylisi mbijeton! Fitorja me Vllazninë? Sfida si kjo janë të lehta

schedule17:40 - 12 Mars, 2021

schedule 17:40 - 12 Mars, 2021

Besnik Kapllanaj, presidenti i Bylisit, pas ndeshjes me Vllazninë ka folur për triumfin që skuadra e tij ka arritur. Ai thekson se këto ndeshje janë më të lehta për ballshiotët, për shkak se nuk kanë presion. Ndër të tjera Kapllanaj shton për RTSH se nuk ishte një hakmarrje për humbjen që shkodranët u shkaktuan në Ballsh, ndërkohë që në fund thekson se nuk e rrezikojnë rënien nga kategoria.

“Këto janë ndeshje që unë i konsideroj si më të lehtat, pasi ekipi mund të luajë pa presion. Më e lehtë është kur Bylisi luan jashtë me Vllazninë, me Tiranën apo me ekipe të tjera më të forta, se sa kur vjen Apolonia e Skënderbeu që i ke rivalë direkt. Kështu i konsideroj unë si president dhe këtë ia kam përcjellë edhe ekipit si mesazh”.

“Hakmarrje? Jo! Së pari duhet të jemi vetë me këmbë në tokë, ishte fitorja e parë jashtë për këtë sezon. Është vetëm një ndeshje. Pjesën e parë nuk luajtëm mirë, në të dytën u paraqitëm shumë mirë. E tregoi fakti që fituam. Më vjen keq që Vllaznia pas asaj fitoreje që arriti në Ballsh nuk pati ecuri të mirë. E nisi mirë, ka një grup të mirë dhe besoj se do ringrihet”.

“Lufta për mbijetesë? Jemi tre skuadra, ne, Apolonia dhe Skënderbeu. Kastrioti është paksa i shkëputur. Do jetë një rivalitet shumë i fortë deri në fund dhe e shoh të vështirë, shumë të vështirë. kjo për vetë faktin se janë vetëm tre ekipe. Po të ishin katër ose pesë do të ishte më ndryshe. Vetëm një shpëton nga tre ekipe dhe normalisht do jetë luftë e fortë.

Mbijeton Bylisi? Normalisht që po, jemi ndërtuar për të mbijetuar. Ju e keni parë edhe nga statistikat që publikon FSHF, Bylisi është ekipi që gjuan më shumë në portë, është një ekip që prodhon shumë, ndërton shumë, por nuk i ka pikët që i takojnë. Kemi shumë më pak pikë se çfarë kemi prodhuar”, është shprehur mes të tjerash Kapllanaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!