Kaosi te Vllaznia, reagon kryebashkiakja Ademi: Situatë e rëndë, reagoni me përgjegjësi

schedule19:34 - 22 Maj, 2020

schedule 19:34 - 22 Maj, 2020

Vllaznia po kalon një situatë të vështirë, për shkak të burokracive. Futbollit e klubit shkodran nuk paguhen që prej muajit janar dhe ata kanë protestuar këto ditë, duke mos pranuar të stërviten. Një ditë më parë lojtarët patën një bisedë me administratorin Suad Lici.

Gjendja e vështirë e klubit nuk ka kaluar pa vëmendjen e kryebashkiakes Voltana Ademi, e cila i ka bërë thirrje Këshillit Bashkiak për ta zgjidhur sa më parë këtë çështje, pasi kështu do i bënin shumë dëm ecurisë së ekipit kuqeblu në kampionat.

 

Hygor, duke festuar me Gilman Liken dhe Ardit Krymin | Foto: Mikel Thepina

REAGIMI I ADEMIT – “Bashkia e Shkodrës ka miratuar Buxhetin për vitin 2020 për “Klubin e Futbollit Vllaznia sh.a”, që në dhjetor të vitit 2019. Jemi në fund të muajit maj 2020 dhe këshilli bashkiak akoma nuk ka shqyrtuar dhe miratuar pasqyrat financiare të “KF Vllaznia sh.a”, duke bllokuar vijimësinë e pagesave që nga muaji shkurt dhe deri në këtë moment që jemi, 22 maj 2020.

Në muajin shkurt ka patur një përpjekje nga ana juaj për zhbllokimin e situatës te “KF Vllaznia sh.a”, por vetëm aq. Në momentin që flasim, futbollistët, stafi tekniko- sportiv, trajnerët e Akademisë dhe punëtorët e terreneve sportive, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre.

LEXO EDHE: Bojkoti s’ndalet, Lika: Boll më, u është hequr edhe ushqimi futbollistëve!

E gjithë kjo ka krijuar një situatë të rëndë që rrezikon të ketë impakt edhe në pjesën sportive, të rezultateve dhe objektivave për të gjitha ekipet e “KF Vllaznia sh.a”, në kompeticionet ku marrin pjesë. Dua të vazhdoj të besoj që nuk ka ndonjë keqdashje në këtë zvarritje që po i bëhet zhbllokimit të financimit të punës së sportistëve dhe stafit të KF Vllaznia sh.a.

Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj, me urgjencë dhe pa vonesa, shqyrtimin dhe miratimin e pasqyrave financiare, në një mbledhje të thirrur nga Administratori i K.F Vllaznia, për t’i hapur rrugën vijimin në normalitet të punës tek klubi kuqeblu, i cili siç edhe klubet e tjera, kanë kaluar jo pak probleme edhe për shkak të pandemisë dhe Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore.

Siç jeni në dijeni, sezoni futbollistik rifillon me 3 qershor ndërsa ekipet kanë nisur stërvitjen. Kësisoj, si Kryetare e Bashkisë Shkodër, duke përcjellë zërin e sportistëve dhe tifozerisë, kërkoj reagimin me përgjegjësi nga ana juaj”, shkruan Ademi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!