Kaosi i opozitës në Kuvend/ Rama: S’mund të ngrihen komisione hetimore bazuar në thashetheme. Do rishikojmë ligjin për komisionet

schedule14:25 - 24 Nëntor, 2023

schedule 14:25 - 24 Nëntor, 2023

Në konferencën për shtyp, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për kaosin që ka shkaktuar opozita në Kuvend, e cila ka bllokuar punimet prej disa javësh tashmë, me pretendimin se nuk po merren parasysh kërkesat dhe ngritjen e komisioneve hetimore. Kreu i qeverisë theksoi se këto komisione nuk mund të ngrihen në bazë të thashethemeve, që sipas tij, përhapen nga vetë opozita.

Ai theksoi gjithashtu se “është koha që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe dështimet e panumërta të komisioneve në gjithë këto vite.”

“Së pari, ne nuk negociojmë me non gratën dhe asnjë zëdhënës të non gratës. Këtë e kemi thënë që ditën e parë dhe nuk është e re. Non grata dhe zëdhënësit e tij që kanë marrë përsipër që për një hall krejtësisht personal me drejtësinë e re të kthejnë parlamentin në një shesh për të bërë përshesh dhe i gëzohen faktit që ndezja deri dhe e flakës në sallën e parlamentit merr dhenë nëpër të gjithë mediat e botës a thua se kjo sjell gjë tjetër përveç zhgarravitjes së imazhit të Shqipërisë, janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre.

Parlamenti ka rregullat e veta, ka edhe kufizimet e veta sepse në kushtet kur rregullorja e parlamentit përcakton si masën më ekstreme nga vetë parlamenti përjashtimin për vetëm 10 ditë edhe të një zjarrvënësi atëherë ne nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse me qetësi dhe durim të presim që drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ushtrimin e detyrës së të tjerëve. Nga ana tjetër, këtu nuk ka asgjë për të negociouar për shkak se është krejt e pavërtetë që komisionet hetimore mund të ngrihen thjesht dhe vetëm sepse një numër i caktuar firmtarësh iu teket të ngrenë një komision hetimor.

Mënyra se si ngrihen komisionet është e përcaktuar në ligj dhe kornizuar edhe nga vendimet e Kushtetueses sepse po të ishte Kushtetuese në çdo nisëm për ngritjen e komisionit atëherë gjykata s’do të kishte mundur të shpallte komisione antikushtetuese hetimore siç edhe ka shpallur, që do të thotë me rastin e ngritjes së një komisioneve antikushtetues ka gabuar kuvendi. Që do të thote se kur kuvendi ngre një komision hetimor duhet ta ngrejë brenda kornizës kushtetuese dhe duke i marrë parasysh të gjithë ato përcaktime të ligjit për arsyet pse dhe për mënyrën se si ngrihet një komision hetimor. S’mund të ngresh komisione bazuar në thashetheme që i ke përhaur vetë.

Kjo nuk mund të bëhet pavarësisht se mund të kesh një mandat deputeti dhe një numër deputetësh që firmosin që thashethemet që ke përhapur të kthehen në komision hetimor. Së treti, është koha që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe dështimet e panumërta të komisioneve në gjithë këto vite. Dhe ky komision nuk është ngritur sepse nuk ka pasur vullnet nga ana tjetër për t’u përfshirë ndërkohë kemi punuar gjatë këtyre muajve dhe kemi konsideruar dy drejtime. E para, integrimin e vendimeve të Kushtetueses për komisionet në ligjin e komisioneve hetimore dhe e dyta, burimin e vetë ligjit tonë të komisioneve që është ligji gjerman i komisioneve hetimore.”, u shpreh Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!