Mjekët dërgojnë për vaksinim persona nën 85 vjeç

schedule17:33 - 8 Mars, 2021

schedule 17:33 - 8 Mars, 2021

Vazhdon të ketë një lloj konfuzioni tek qendra e vaksinimit, nga dita e sotme dhe për 10 ditë do të vaksinohen ata nga 85-90 vjec. Ata nga 90 vjeç e sipër e kanë kryer vaksinimin. Ndërsa tek qendra e vaksinimit po vijnë persona nën këtë moshë prej mos koordinimit të mjekëve të familjeve me qendrën e vaksinimit.

“Na mori mjeku i familjes po kur erdha thanë janë 90-vjeçarët. Prej mjekut të familjes kemi ardhur për 80-vjeçarët. Kam punuar vetë në shëndetësi laborante. Nëse janë tuj lujt me popullin s’është normale”.

Edhe drejtoresha e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Shkodër për këtë kaos fajëson mjekët e familjes.

“Kemi hasur goxha probleme me mjekët e familjes vazhdojnë e marrin njerëz në telefon dhe heqi përgjegjësinë e tyre ndërkohë që nuk është radha e tyre. Për 10 ditë ta mësojnë të gjithë vaksinohen ata nga 85 deri 90 vjeç”, thotë ajo.

Në Shkodër deri më tani janë vaksinuar mbi 3 mijë persona personel mjekësor dhe të moshuar.

Ndërsa në Vlorë siç duket dhe nga pamjet në orët e para të mëngjesit ka pasur grumbullime. Të moshuari qëndrojnë në radhë pasi mjekët e familjes nuk janë koordinuar me njëri tjetrin për oraret.

“Jam 84 vjeç kam ardh dy ditë këtu e s’më thonë gjë”. “Pres kur të më dalë emri. 84 vjeç jam”.

Ndërkohë që në Gjirokastër ndryshe nga ditët e mëparshme problem i radhëve të paktën këtë fillim jave është zgjidhur.

Shefi i epidemiologjisë Arenc Brahimi sqaron se këtë të hënë përfundon vaksinimi i të moshuarve mbi 90 vjec.

“Kemi pasur 438 doza dhe me 76 të sotmet përfundojmë vaksinimin e 90 plus”.

Edhe pse Brahimi pohoi se janë vaksinuar persona plus 90 vjeç nuk është e qartë se përse tek qendra e vaksinimit ka qenë dhe një 81 vjeçare. /abcnews.al