Kandidimi i Belerit për eurodeputet/ Gjipali: Mitsotakis luan me politikën e brendshme, mundësitë që të përzgjidhet janë të vogla

schedule18:33 - 16 Prill, 2024

schedule 18:33 - 16 Prill, 2024

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis zgjodhi Alfred Belerin, kryetarin e zgjedhur të  Bashkisë Himarë që është dënuar me dy vite burg për korrupsion zgjedhor si kandidat brenda Partisë së tij “Demokracia  e re” për zgjedhjet që do të mbahen për eurodeputetë të Parlamentit Europian në muajin qershor.

Në një lidhje me Skype për “Special Report”, eksperti për çështjet e integrimit, Gledis Gjipali tha se Mitsotakis luan me politikën e brendshme. Ai theksoi se që mundësitë që Beleri të përzgjidhet janë mjaft të vogla.

“Ishte një zhvillim interesant për faktin që e përfshin akoma më shumë çështjen Beleri, duke e ngritur në një nivel europian në lidhje me zgjedhjet, por nga ana tjetër e shoh vazhdim të politikës së brendshme të Greqisë. Duhet pasur parasysh dhe mënyra se si zgjidhen deputetët, do të thosha shanset nuk janë të larta për Belerin për t’u zgjedhur. Greqia ka një sistem me lista të hapura për zgjedhjet parlamentare europiane. Kjo gjë bën që kandidaturat më të forta që mbledhin më shumë vota arrin të zgjidhen. Pra, kanë një listë me 42 kandidatura dhe Greqia zgjedh 21 deputetë dhe po të shohim aktualisht Nea Demokracia ka vetëm 6 eurodeputetë dhe mendoj që mundësitë janë mjaft të vogla.

Nga ana politike, mund të lehtësojë dhe të sjelli edhe këtë aspekt që në një farë mënyre qeveria nuk ka më borxhe kundrejt Belerit që bëri maksimumin dhe politikisht. Të paktën, muajt e fundit, ky konflikt ka sjellë kosto dhe për Greqinë, sigurisht Shqipëria është e bllokuar, por figura e Greqisë kundrejt partnerëve të saj europianë nuk është se ka përfituar, ka shkaktuar reagime jo pozitive”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!